Plotësohet “puzzle” për Bashkinë e Tiranës, kush do ta drejtojë kryeqytetin në 4 vitet e ardhshme Veliaj, Këlliçi apo Bejko?

PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka zyrtarizuar mbrëmjen e kësaj të diele kandidatin e saj për Bashkinë e Tiranës, i cili do të jetë Roland Bejko.

Pas zyrtarizimit të Bejkos mund të themi se tashmë është plotësuar edhe “Puzzle” e kandidatëve që do të garojnë në 14 maj për Bashkinë më të madhe në vend, atë të kryeqytetit.

Partia Socialiste ka rikonfirmuar si kandidat kryetarin aktual të Bashkisë, Erjon Veliaj, i cili do të kërkojë mandatin e tretë për të qenë qytetari i parë i kryeqytetit.

Erjon Veliaj u zgjodh për herë të parë kryetar i Bashkisë së Tiranës më 21 qershor 2015-të, ku përballë kishte kandidatin e PD, doktorin Halim Kosova.

Duhet theksuar se në zgjedhjet lokale të 2015-s PS e drejtuar nga Edi Rama dhe LSI (PL sot) e drejtuar nga Ilir Meta ishin në të njëjtin koalicion “ASHE”, ku Veliaj mori  160.232 vota, ndërsa kandidati i APPD, Halim Kosova mori 116.660 vota.

Në 30 Qershor të 2019-s, Erjon Veliaj do të merrte mandatin e dytë për të drejtuar Bashkinë e Tiranës, por këtë herë PD dhe LSI (PL sot) nuk morën pjesë, përballë tij qendronte vetëm Arben Skënderi i Bindjes Demokratike të drejtuar nga Astrit Patozi.

Në këto zgjedhje pavarësisht se pa një konkurent të fortë përballë Veliaj mori 152 230, rreth 10 mijë vota më pak se 4 vite më parë.

Ndërkohë që kandidati i grupimit të Sali Berishës i cili në këto zgjedhje do të mbështete dhe nga PL e Ilir Metës, Belind Këlliçi, do të garojë për herë të parë për postin e kreut të Bashkisë së Tiranës.

Këlliçi u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë në 25 prill të vitit 2021, pozicion të cilin e mbajti deri këtë të enjte, 23 mars 2023.

Këlliçi u zgjodh kandidat zyrtar pasi doli fitues në “Primaret”, ku fitoi me shumicë votash përballë konkurentëve të tjerë, ku më i afërti ishte Ilir Alimehmeti.

Ndërkohë që edhe për Roland Bejkon do të jetë hera e parë që do të garojë për postin e kreut të Bashkisë së Tiranës.

Bejko në garë për kandidatë për kreun e Bashkisë së Tiranës, pati pedagogen Jonila Godole, por në fund ishte ai që mori shumiën e votave nga Kryesia e PD.

/Taulant Halili/ AlbEu.com/


Shtuar 26.03.2023 21:25