Veprat e Ramës tashmë në Athinë, kryeministri hap sot ekspozitën me piktura në kryeqytetin grek

Kryeministri Rama ditën e sotme pritet të mbërrijë në Athinë me rastin e hapjes së një ekspozite pikture.

Mediet greke bëjnë me dije se do të jetë një ekspozitë e veprave të tij të artit që do të prezantohet në Zappeio Megaro.

Vizita do të jetë jozyrtare por kjo nuk do ta pengojë atë të ketë takime me lidershipin politik të Greqisë.

Në mënyrë të veçantë, ai pritet të mbërrijë në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” mesditën e së hënës dhe do të nisë menjëherë një sërë takimesh, fillimisht me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias me të cilin do të ketë edhe një drekë pune. E pranishme pritet të jetë edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

Pasdite Rama do të hapë ekspozitën me pikturat e tij, në shoqërinë e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, me të cilin do të darkojë në mbrëmje, ndërsa të nesërmen, të martën, do të shkojë në Pallatin Presidencial ku do të takohet me Presidenten e Republikës Katerina Sakellaropoulou.

Axhenda e kryeministrit shqiptar do të plotësohet me pjesëmarrjen e tij në forumin ekonomik të Delphi ku do të marrin pjesë biznesmenë dhe drejtues kompanish të mëdha./Albeu.com/

 

 


Shtuar 20.03.2023 08:43