Blinken mirëpret marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e propozimit evropian

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mirëpriti pajtueshmërinë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Përmbushja e obligimeve sipas Marrëveshjes Bazë, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për pajtim, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Blinken përmes një deklarate.

Kryediplomati amerikan përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër  Vuçiç, për lidershipin e treguar për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që të punojnë drejt një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Blinken.


Shtuar 20.03.2023 08:42