A do të regjistrohet PD-ja në zgjedhjet lokale? Celibashi: Do të vendoset pasi të kalojë afati 48 orësh

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi zhvilloi sot një konferencë për mediet.

Celibashi foli për afatin 48 orë që KQZ i ka dhënë PD-së për të plotësuar dokumentacionin, në mënyrë që të regjistrohet në zgjedhjet lokale  të 14 majit.

Afatai prej 48 orësh skadon sonte në mesnatë.

I pyetur nga gazetarët se çfarë do të ndodhë me fatin e Partisë Demokartike, Celibashi tha se vendimin do e marrë pasi të kalojë afati 48 orësh. Celibashi tha se vendimmarrja e KQZ është në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor.

Më tej ai tha se regjistrimi i anëtarëve të KZAZ-ve nuk ka lidhje me regjistrimin e Partisë Demokratike.

Kujtojmë se kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj iu përgjigj këtë të shtunë  KQZ-së për afatin 48 orë, i cili skadon sot,  për plotësimin e dokumenteve për tu regjistruar në lokalet e 14 majit.

Enkelejd Alibeaj ka njoftuar përmes një letre zyrtare Celibashin, se Lulzim Basha është dorëhequr si kryetar i PD më 21 mars 2022 dhe se  dokumentacioni i paraqitur është i plotë.

Sipas vendimit të KQZ, Lulzim Basha do të duhet të firmosë shkresa zyrtare, ndonëse është dorëhequr prej afro 1 viti, pasi në të kundërt rrezikon pjesëmarrjen në zgjedhje.

/AlbEu.com/


Shtuar 11.03.2023 11:52