Shqipëria në ditë zie për aksidentin tragjik në Greqi, Ministria e Jashtme konfirmon vdekjen e 6 shqiptarëve (emrat)

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka ka konfirmuar vdekjen e 6 shqiptarëve nga aksidenti tragjik në Greqi ku janë përplasur 2 trena duke shkaktuar në total humbjen e 57 jetëve.

Olta Xhaçka, ka dërguar mesazh ngushëllues për familjet e 6 shqiptarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të martën e kaluar në Greqi, kur dy trena u përplasën kokë më kokë.

Shqiptarët që ndërruan jetë nga aksidenti në Greqi janë: Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Kaq shumë jetë të prera në mes kaq papritur e në mënyrë kaq tragjike! Në këtë ditë zije një lutje e veçantë shkon për familjarët e 6 bashkëkombësve tanë që humbën jetën në këtë aksident”, shkruan Xhaçka në Facebook.

Flamuri shqiptar është ulur sot në gjysmë shtizë në nderim të viktimave që humbën jetën në përplasjen e trenave në Greqi.
Kryeministri Rama njoftoi më herët se e diela do të shpallej ditë zie kombëtare.

Tragjedia ndodhi natën e 28 shkurtit, në Tempe, kur treni i pasagjerëve me 350 persona në bord u përplas me atë të mallrave./Albeu.com/