Autoritetet në Danimarkë do të shqyrtojnë programin e përgatitjes së gardianëve nga Kosova, pasi dy prej tyre dyshohen për dhunë ndaj një të burgosuri në Kopenhagen. Rasti ka shkaktuar reagime dhe ka ngritur shqetësime për kontrollin dhe përgjegjësitë në burgun e Gjilanit, ku Danimarka planifikon të dërgojë deri në 300 të burgosur.
Sipas mediave daneze, dy gardianët, 24 dhe 29 vjeç, dyshohet se e kanë goditur me grushte një të burgosur brenda qelisë së tij më 5 tetor, në burgun Vestre të kryeqytetit.
Të lidhura
None found
Të dy të dyshuarit i kanë mohuar akuzat. Ata u arrestuan, por gjykatat nuk pranuan kërkesën për t’i lënë në paraburgim. Hetimi është ende në zhvillim dhe për rastin nuk është marrë vendim përfundimtar.
Shërbimi Korrektues i Danimarkës njoftoi se do ta rishikojë trajnimin e gardianëve kosovarë, me synimin për të siguruar përgatitjen e duhur dhe zbatimin e standardeve profesionale.
Organizatat për të drejtat e njeriut, ndërkaq, kanë shprehur shqetësim për mënyrën e mbikëqyrjes së pavarur, trajtimin e të burgosurve dhe ndarjen e përgjegjësive ndërmjet dy shteteve.
Dërgimi i të burgosurve të parë në Gjilan parashikohet për fundin e vitit 2027 ose fillimin e vitit 2028. Afati është shtyrë për shkak të vonesave në rindërtimin e burgut.





