Ndeshja e fundit e Interit në kampionat ndaj Bolognas, e cila u fitua nga këta të fundit ka luhatur pozitat e klubit nga Milano në renditje. Pas asaj humbjeje tashmë është vënë në dyshim kualifikimi i zikaltërve në Champions. Diçka e tillë nuk do të ishte vetëm një dështim sezoni duke ditur pritshmëritë që të besuarit e Inzaghit kanë, por edhe dëme monetare.
Dështimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve do t’i sillte zikaltërve një dëm prej 50 milionë eurosh. Një shumë e konsiderueshme që Interi mund t’i përdorë në merkaton e ardhshme verore duke sjellë në ekip përforcime në reparte të ndryshme.
Siç dihet, në verë Ausilio dhe Marotta mendohet se do të heqin dorë nga dy elementë të rëndësishëm të ekipit siç janë Dumfries dhe Brozovic. Por pa Champions League sakrificat e drejtuesve të Interit do të jenë më të mëdha.
Në rast se kjo ndodh do të ndryshojnë edhe pozitat e tre lojtarëve që quhen të paprekshëm në kampin e Interit. Lautaro Martinez, Barella dhe Bastoni janë emrat e lakuar që mund të largohen në rast moskualifikimi. Të tre këta lojtarë kanë oferta të shumta nga klubet e mëdha europiane.