Në një kohë kur Pekini po trumbeton se do të marrë rolin e ndërmjetësit për t’i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka rezerva për këtë qëndrim duke pretenduar se Aleanca ka parë disa shenja që Kina mund të planifikojë të mbështesë Kremlinin.
“Ne kemi parë disa shenja që kinezët mund ta planifikojnë atë, kështu që sigurisht aleatët e NATO-s, Shtetet e Bashkuara, kanë paralajmëruar kundër një lëvizje të tillë, pasi kjo nuk duhet të ndodhë. Kina nuk duhet të mbështesë luftën e paligjshme të Rusisë”, sqaroi Jens Stoltenberg në një intervistë me agjencinë Associated Press.
Përveç kësaj, ai i bëri thirrje Pekinit të ndalojë çdo plan që do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe e bëri të qartë se NATO, megjithëse nuk është pjesë e luftës, do të mbështesë qeverinë e Kievit për aq kohë sa duhet.
Sekretari i Aleancës së Atlantikut të Veriut nënvizoi gjithashtu se ndihma e mundshme kineze do të përbënte mbështetje të drejtpërdrejtë për një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe natyrisht, si çdo anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina nuk duhet në asnjë mënyrë të mbështesë shkeljen e Kartës së OKB-së ose të drejtës ndërkombëtare.
Dje, presidenti rus Vladimir Putin mirëpriti në Kremlin zyrtarin më të lartë të politikës së jashtme të Partisë Popullore Kineze, Wang Yi, duke ngritur dyshime se Pekini mund të jetë gati t’i ofrojë Moskës mbështetje më të fortë.
Në të njëjtën kohë, Kina nuk u konsultua me Kievin për planin e paqes që ka për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, tha një zyrtar i lartë ukrainas në kushte anonimiteti, siç raportohet nga gazeta britanike “Guardian”.
“Kina nuk u konsultua me ne”, u tha zyrtari ukrainas gazetarëve, përfshirë AFP.
Pekini, nga ana e tij, ka premtuar se do të publikojë zgjidhjen e tij politike për konfliktin në Ukrainë brenda javës, teksa e nesërmja shënon përvjetorin e parë të pushtimit rus të vendit fqinj më 24 shkurt. /albeu.com