Si u mbajt sekret vizita e Biden në Kiev, presidenti amerikan insistoi të shkonte në Ukrainë, “anuloi” darkën me bashkëshorten

Udhëtimi sekret i Biden në Ukrainë është bërë me tren nga kufiri i Polonisë, raporton New York Times.

Vizita në Kiev mbeti sekret për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Raportet thonë gjithashtu se Biden u largua nga Uashingtoni pa paralajmërim pasi ai dhe gruaja e tij Jill kishin një darkë të rrallë në një restorant të shtunën mbrëma.

Zyrtarët kishin mohuar se Biden do të vizitonte Ukrainën gjatë udhëtimit të tij të planifikuar në Evropën Lindore.

“Në të vërtetë, Shtëpia e Bardhë të dielën mbrëma dha një orar publik për të hënën, ku tregohej presidenti ende në Uashington dhe nisej në mbrëmje për në Varshavë, kur në fakt ai ishte tashmë gjysmë bote larg”, shkruan New York Times.

Ndërkohë, sipas Jim La Porta të revistës Rolling Stone, i cili ishte në dijeni për vizitën paraprakisht dhe iu kërkua ta mbante atë të fshehtë, presidentit të SHBA Joe Biden iu prezantua një “një grup planesh” për këtë udhëtim në Ukrainë, duke përfshirë një takim midis tij dhe Zelensky në kufirin polako-ukrainas ose në qytetin perëndimor të Lviv.

Megjithatë, Biden thuhet se ka insistuar që ai duhet të vizitojë kryeqytetin ukrainas, i cili u bë simbol i rezistencës ndaj pushtimit gjatë betejës së Kievit në javët e para të luftës, kur Rusia u përpoq të merrte qytetin. /albeu.com


Shtuar 20.02.2023 11:54