Zelenksy kërkon dërgim të shpejtë të armëve për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përsëriti thirrjet për dërgimin sa më të shpejtë në Kiev të armëve perëndimore, duke thënë se Rusia nuk duhet të lejohet që të blejë kohë për agresionin e saj, teksa forcat ukrainase janë përballur me sulme të shumta në të gjithë linjën e frontit.

“Ne duhet të përshpejtojmë. Ne na duhet shpejtësi – shpejtësi në marrëveshje, shpejtësi në dërgesa…. shpejtësi në vendime për të kufizuar potencialin rus”, tha Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Zelensky tha se përderisa shtetet perëndimore po debatonin lidhur me dërgimin e tankeve në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, po mendonte për mënyrat se si ta “ngufasë” fqinjin e Ukrainës, Moldavinë.

“Është e dukshme që Ukraina nuk do të jetë ndalesa e tij e fundit. Ai do të vazhdojë lëvizjen e tij deri në fund… përfshirë edhe të gjitha shtetet e tjera që në një kohë ishin pjesë e bllokut sovjetik”, tha Zelensky.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha më herët gjatë javës se shteti ka informacion se Rusia po përgatiste një grushtshtet ndaj Qeverisë pro-perëndimore të Moldavisë, me ndihmën e sabotatorëve të huaj.


Shtuar 17.02.2023 23:40

Tags: