Pasojat e luftës së Putinit shtrihen përtej dëmeve të shumëfishta për Rusinë

Nga Ivo Daalder “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur udhëheqësit botërorë u mblodhën për herë të fundit në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, i gjithë diskutimi sillej rreth pyetjes nëse do të rikthehej lufta në Evropë. Shumica mendonin ende se mobilizimi i madh ushtarak i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës, ishte pak më shumë sesa një bllof.

Ndërkohë ata që ishin të bindur se Rusia do të sulmonte fqinjin e saj, besonin se Perëndimi kishte shumë pak gjëra në dorë për të parandaluar humbjen e shpejtë të Kievit. Madje i kërkuan presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të arratisej përpara se forcat ruse të mbërrinin në pallatin presidencial.

Një vit më vonë, liderët perëndimorë që janë mbledhur në Mynih këtë javë, kanë një humor ndryshe. Larg humbjes së shpejtë dhe një qeverie-kukull të kontrolluar nga Moska, Kievi jo vetëm që po reziston, por ka iniciativën në fushën e betejës. Perëndimi është më i bashkuar se në çdo kohë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, dhe më i përkushtuar se në çdo kohë që nga fillimi i luftës për të siguruar disfatën e Rusisë në këtë konflikt.

Fitorja përfundimtare e Ukrainës nuk është ende e sigurt, por vendimi i Rusisë për të shkuar në luftë, shihet tani gjerësisht si një dështim strategjik me përmasa historike. Dhe askush nuk e parashikoi këtë rezultat një vit më parë. Edhe pse vetë lufta ka rezultuar katastrofike në aspektin ushtarak, pasojat gjeopolitike për Rusinë janë edhe më të rënda.

Vetëm disa javë përpara takimit të vitit të kaluar në Mynih, liderët e Kinës dhe Rusisë kishin nënshkruar një dokument të gjatë, që fliste për një partneritet të ri të madh të “pakufishëm”. Të bindur se Lindja po ngrihej dhe Perëndimi ishte në rënie, të dy udhëheqësit ishin të vendosur që t’ia rrëmbenin SHBA-së skeptrin udhëheqjes globale.

Dhe në këndvështrimin e Moskës dhe Pekinit, kishte shumë arsye të mendohej kështu. Perëndimi ka qenë tejet i ndarë gjatë gjysmë dekadës së kaluar, edhe sepse udhëheqësi i tij i dikurshëm, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e kishte braktisur angazhimin afatgjatë të Amerikës ndaj aleancave të forta, tregjeve të hapura dhe mbrojtjes së lirisë në mbarë botën në favor të politikës “Amerika e Para”.

Ndonëse pasardhësi i tij, Joe Biden, deklaroi se “Amerika është rikthyer në krye të rendit global”, tërheqja e dobët dhe e njëanshme nga Afganistani i shqetësoi edhe miqtë më të vjetër të vendit për forcën dhe qëndrueshmërinë e saj. Në këto kushte, presidenti rus Vladimir Putin nisi luftën e tij pushtuese, i bindur se Ukraina ishte e paaftë dhe e pavullnetshme për t’i rezistuar Rusisë, dhe se Perëndimi ishte shumë i dobët për të reaguar përtej një retorike të ashpër.

Për më tepër, që Pekini do ta mbështeste. Sa gabim e kishte kreu i Kremlinit. Ukrainasit – edhe pse të keq-armatosur në fillim të pushtimit – u bashkuan për të mbrojtur vendin e tyre, dhe ushtria shumë e lavdëruar e Rusisë u tregua e papërgatitur për një luftë të vërtetë.

Sipas disa vlerësimeve, mbi 200.000 rusë janë vrarë ose plagosur që nga ajo kohë; gjysma e tankeve dhe e pajisjeve të tjera të blinduara janë shkatërruar ose kapur nga ukrainasit; Forcat Ajrore të Rusisë nuk kanë fituar ende kontrollin mbi qiejt e Ukrainës; ndërsa inventari i raketave, bombave dhe municioneve të drejtuara me saktësi po shteron me shpejtësi.

Tani e tutje, ushtria ruse do ta ketë të vështirë të mbajë territoret që ka pushtuar, dhe jo më të pushtojë territore të tjera. Putin e pa aventurën e tij ushtarake si një mënyrë jo vetëm për të kontrolluar të ardhmen e Ukrainës, por edhe për të përçarë Perëndimin.

Por të tronditura nga rikthimi i luftës në shkallë të plotë në kontinent, vendet perëndimore vepruan në unison, duke e izoluar Rusinë nga ekonomia globale, duke u distancuar me shpejtësi nga energjia ruse, dhe duke armatosur dhe trajnuar ushtrinë e Ukrainës.

Ata u angazhuan për të forcuar mbrojtjen e tyre në Evropën Lindore, dhe duke rritur masivisht shpenzimet gjatë pjesës së mbetur të dekadës. Madje Finlanda dhe Suedia e braktisën neutralitetin e tyre shekullor dhe aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa Bashkimi Evropian u angazhua të përshpejtojë aplikimin e Ukrainës për anëtarësim për union.

Pra Perëndimi është shfaqur më i fortë në kundërpërgjigje të agresionit të Putinit, dhe tani është tërësisht i përkushtuar për të siguruar disfatën strategjike të Rusisë në Ukrainë. Në fakt, nëse Putini po llogariste mbështetjen e Kinës në luftën e tij, do të jetë me siguri i zhgënjyer.

I zënë në befasi nga ambicia e madhe ushtarake të Rusisë, udhëheqësi kinez Xi Jinping ka ofruar vetëm një mbështetje të vakët retorike për Moskën, duke e fajësuar Perëndimin për nevojën e Putinit për të vepruar.

Pekini ka abstenuar në shumicën e votimeve të OKB-së në lidhje me Ukrainën, dhe ka refuzuar të ofrojë ndonjë mbështetje të konsiderueshme materiale për luftën e Putinit. E gjitha kjo përbën një dështim të madh strategjik për Rusinë. Por pasojat e luftës së Putinit shtrihen përtej pasojave negative për vendin e tij.

Që nga fillimi i luftës, balanca e fuqisë midis Perëndimit dikur në rënie dhe Lindjes së supozuar në rritje, ka anuar në mënyrë vendimtare në favor të së parës. Dhe kjo do të ketë me siguri pasoja të mëdha mbi ekuilibrin relativ midis gjeopolitikës por edhe gjeo-ekonomisë. Nëse epoka e pas Luftës së Ftohtë u karakterizua nga globalizimi i shpejtë, në të cilin ishin prioritare konsideratat ekonomike – rritja e tregjeve përmes zgjerimit të tregtisë, krijimi i zinxhirëve të furnizimit në kohë, dhe gjetja e burimeve më të lira të prodhimit – kjo nuk është më e vërtetë.

Pavarësisht distancimit të Evropës nga energjia ruse, pengimit të kompanive kineze nga qasja në teknologjinë e avancuar informatike, ripërtëritja apo krijimi i zinxhirëve më të qëndrueshëm të furnizimit, janë konsideratat politike ato që po diktojnë gjithnjë e më shumë vendimet ekonomike – dhe çelësat për t’i mbështetur këto tendenca qëndrojnë tek ruajtja e unitetit perëndimor.

Tani për tani, Perëndimi duhet të qëndrojë i vendosur në angazhimin e tij për të ndihmuar Ukrainën që ta mposhtë Rusinë në këtë luftë. Por në terma afatgjatë, është jetike që të gjitha vendet perëndimore – nga Amerika e Veriut në Evropë në Azi – të bashkëpunojnë dhe të njohin përparësinë e gjeopolitikës mbi gjeo-ekonominë, në mënyrë që ta fitojnë konkurrencën gjeopolitike me Kinën. Nëse Perëndimi do të ketë sukses në këto përpjekje, kjo do të jetë dyshim tema më e rëndësishme e Konferencës së Sigurisë në Mynih vitin e ardhshëm. /albeu.com

Shënim:Ivo Daalder, ish-ambasador i SHBA-së në NATO. Aktualisht është president i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale.


Shtuar 16.02.2023 14:54