60 kg “miell” të fshehura në kontejnerin me banane, arrestohet shqiptari: Si u përpoq ta nxirrte drogën nga porti

Një kontejner, i cili mbërriti në Vado Ligure në bordin e motoranijes “Victoria L”, i ardhur nga Ekuadori me një ngarkesë banane, është ndaluar nga policia italiane për kontroll.

Pas kontrollit të kujdesshëm të kontejnerit, u gjet një ngarkesë me drogë.

Hetimet e bëra nga Policia Ekonomike-Financiare dhe Guardia di Finanza bënë të mundur arrestimin e një shtetasi shqiptar, i cili hyri fshehurazi në zonën e portit të Vado Ligure. Ai u kap në përpjekje për të marrë drogën e fshehur.

Burri, një 37-vjeçar, banues në Milano, u bllokua menjëherë nga financuesit dhe u arrestua me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, më pas u dërgua në burgun e Xhenovas. Droga, rreth 60 kilogramë kokainë, e ndarë në 50 pako, u sekuestrua dhe u vendos në dispozicion të organeve të drejtësisë.

Në momentin e arrestimit, shtetasi shqiptar dispononte një armë zjarri me 13 të shtëna, e cila u konstatua e vjedhur, një radio dhe mjete të tjera të përshtatshme për hapjen me forcë të  kontejnerit. Po zhvillohen hetime të mëtejshme për identifikimin e marrësve të ngarkesës së madhe të drogës, e cila nëse do të ishte hedhur në treg, do të kishte sjellë mbi 5 milionë euro./Albeu.com/

 


Shtuar 8.02.2023 09:41