“Situata e menaxhueshme”, Niko Peleshi: Pritet shtim përmbytjesh, kujdes këto rrugë!

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur në lidhje me situatën pas reshjeve intensive të shiut në vend, që kanë sjellë përmbytje.

Mes të tjerash ministri tha se priten reshje të dendura shiu në vend, duke shtuar se lumi Vjosa është pranë niveleve kritike të tij për shkak të prurjeve të mëdha.

“Priten reshje të dendura shiu në vend. Lumi Vjosa është pranë niveleve kritike. Ka shtim të përmbytjeve në zonat e Nënshkodrës. Shkarkimet po bëhen në mënyrë të kujdesshme nga KESH. Gjatë ditës së djeshme përmendën dhe shkëputjet e energjisë elektrike. Ka pasur disa ndërprerje në zona të Shkodrës, Kukësit, apo dhe në Korçë. Sa i përket kuotave të lumenjve, Osumi është në rënie. Në Urën e Varur, ky lum është në kuota normale. Drini në Shkodër, është në kuotë normale. Niveli i liqenit të Shkodrës është dhe gjysmë metri nga kuota kritike. Buna ka dalë nga shtrati. Në Lezhë kemi pasur disa vërshime në disa rrugë të qytetit.”, tha Peleshi.

 

 

Peleshi shtoi se forcat e ushtrisë janë në gatishmëri të qytetarëve dhe u kërkoi këtyre të fundit të tregojnë kujdes.

“1200 forca në gatishmëri përsëri thirrjet për qytetarët në zonat e rrezikuara që të bëjnë kujdes. Të kenë kujdes në lëvizjet e tyre në orët në vijim, shmangni rrugët me prezencë uji, është i rrezikshëm, duket sikur është e kalueshme edhe pse ka vërshim uji, por një vërshim përroi, siç fatkeqësisht ka pasur raste me viktima, nxjerr këmbësorin apo makinën nga rruga dhe bëhet rrezik për jetën”, tha Peleshi./albeu.com


Shtuar 19.01.2023 13:14