Zonja e Parë e SHBA shtrohet në spital, pritet t’i nënshtrohet një operacioni

Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden, u shtrua sot në spital për heqjen e një dëmtimi të vogël të lëkurës të zbuluar në fytyrën e saj gjatë një ekzaminimi rutinë.

E shoqëruar nga bashkëshorti i saj Joe Biden, Zonja e Parë hipi në helikopterin presidencial Marine One për të shkuar në Spitalin Ushtarak Walter Reed, pranë Uashingtonit.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Jill Biden do t’i nënshtrohet një operacioni ambulator të njohur si operacioni Mohs.

Ky lloj operacioni kryhet nën anestezi lokale dhe konsiderohet shumë efektiv, nëse kryhet mjaft herët, në eliminimin e formimit të një kanceri të lëkurës.

Mjeku presidencial Kevin O’Connor kishte njoftuar më 4 janar se një dëmtim i vogël mbi syrin e Zonjës së Parë ishte gjetur gjatë një ekzaminimi rutinë për kancer të lëkurës.

“Si një masë paraprake, mjekët kanë rekomanduar që ky dëmtim të hiqet”, shkruante mjeku në një letër të publikuar nga zëdhënësja e Zonjës së Parë, Vanessa Valdivia.

“Indet që hiqen do të analizohen më pas”, sqaroi ai.

Jill Biden, 71 vjeç, është Zonja e Parë më e vjetër në historinë e SHBA-së dhe burri i saj 80-vjeçar është gjithashtu banori më i vjetër i Shtëpisë së Bardhë.

Kanceri është një çështje mjaft e ndjeshme për presidentin amerikan, pasi në vitin 2015 djali i tij ndërroi jetë nga kanceri në tru.

Për Biden, ulja e shkallës së vdekjeve nga kjo sëmundje është një “përparësi presidenciale”. /albeu.com


Shtuar 11.01.2023 19:02