BE-ja diskuton përgjigjen e koordinuar ndaj situatës me COVID-19 në Kinë

Zyrtarët shëndetësorë të vendeve të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë bisedime të mërkurën për një përgjigje të koordinuar ndaj rritjes së infeksioneve me COVID-19 në Kinë, tha të hënën presidenca suedeze e BE-së, pasi bisedimet e dhjetorit përfunduan pa asnjë vendim mbi këtë çështje.

Në një takim të ngjashëm më 29 dhjetor, të mbajtur online mes mbi 100 përfaqësuesve nga qeveritë e BE-së, agjencitë shëndetësore të BE-së dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, Italia i kërkoi pjesës tjetër të BE-së të ndjekë drejtimin e saj dhe të testojë udhëtarët nga Kina për COVID-19.

Kjo pasi Pekini do të jetë i gatshëm të heqë kufizimet e udhëtimit më 8 janar.

Por të tjerët nga 27 vendet e BE-së thanë se nuk e shihnin nevojën për ta bërë këtë, pavarësisht vendimit të Kinës për të lehtësuar kufizimet e saj pandemike mes një vale infeksionesh të reja.

“Ka një takim të planifikuar për reagimin e integruar politik ndaj krizave të mërkurën, më 4 janar, për një përditësim të situatës me COVID-19 në Kinë dhe për të diskutuar masat e mundshme të BE-së që duhen marrë në mënyrë të koordinuar,” një zëdhënëse e presidencës suedeze të BE-së.

Komisionerja Evropiane e Shëndetësisë, Stella Kyriakides tha në një letër drejtuar qeverive të BE-së më 29 dhjetor se duhet të konsiderojnë monitorimin e sekuencës gjenetike të koronavirusit që shkakton infeksionin COVID-19 dhe monitorimin e ujërave të zeza, përfshirë në aeroporte, për të zbuluar çdo variant të ri, duke pasur parasysh rritjen e infeksioneve në Kinë.

Kyriakides tha se blloku evropian duhet të jetë “shumë vigjilent” pasi të dhënat e besueshme epidemiologjike për Kinën janë të pakta.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha javën e kaluar se aktualisht nuk rekomandon masa për udhëtarët nga Kina.

Kjo qendër tha se variantet që qarkullojnë në Kinë ishin tashmë në Bashkimin Evropian dhe se qytetarët e BE-së kishin nivele relativisht të larta të vaksinimit dhe potenciali për infeksione të importuara ishte i ulët në krahasim me infeksionet e përditshme në BE që tashmë po regjistrohen./REL/


Shtuar 2.01.2023 14:29