Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur se është i paligjshëm paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr. 05/2023 për procedurat e kundërvajtjes dhe e ka shfuqizuar atë. Kjo dispozitë parashikonte se patentëshoferi mund t’i kthehej palës vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit.
Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Supreme në kuadër të një çështjeje të konfliktit administrativ, pas padisë së ngritur nga 28 paditës kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme – Policisë së Kosovës. Kolegji e ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ.
Të lidhura
None found
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, marrja e përkohshme e patentëshoferit nga policia dhe masa mbrojtëse që ndalon drejtimin e automjetit përbëjnë dy institute të veçanta juridike dhe nuk mund të trajtohen si një masë e vetme.
Duke u bazuar në nenin 244 të Ligjit Nr. 08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor, gjykata ka konstatuar se policia mund ta mbajë përkohësisht patentëshoferin për një periudhë jo më të gjatë se tetë (8) ditë. Për këtë arsye, lidhja e kthimit të dokumentit me përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë ose dymbëdhjetë muaj, është vlerësuar në kundërshtim me ligjin.
Gjykata Supreme ka theksuar se një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara nga ligji dhe as të vendosë kufizime të tjera pa mbështetje ligjore.
Ndërkohë, kërkesa për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të këtij udhëzimi administrativ është refuzuar si e pabazuar. Sipas gjykatës, këto dispozita kanë natyrë procedurale dhe organizative, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e dokumentit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit mbi marrjen e përkohshme të patentëshoferit, pa tejkaluar autorizimet ligjore.







