Autoritetet talibane në Afganistan thanë se disa persona janë vrarë apo plagosur nga shpërthimi që ndodhi mëngjesin e 1 janarit në aeroportin ushtarak, që është ngjitur me Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit.
Zëdhënësi i operacioneve të sigurisë në Kabul, Khalid Zadra, i tha Radios Azadi të Radios Evropa e Lirë se “një numër i bashkëqytetarëve tanë ranë martirë apo u plagosën” në sulmin e dyshuar me bombë. Ai shtoi se ka nisur hetimi për këtë incident.
Zadra nuk specifikoi numrin e saktë të viktimave.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Abdul Nafi Takor, tha po ashtu se disa persona janë vrarë apo plagosur, pa dhënë numrin e saktë të viktimave.
Asnjë grup deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Që kur talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, shteti është shënjestruar nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.
Më 27 dhjetor, IS-i mori përgjegjësinë për sulmin në provincën afgane të Badakshanit, ku u vra një zyrtar kyç i sigurisë së talibanëve.
Një lëvizje e armatosur e rezistencës kundër talibanëve, që njihet me emrin Fronti i Rezistencës Kombëtare (NRF), po ashtu ka qenë aktiv në veri të Afganistanit.
Aeroporti ushtarak ku ndodhi sulmi më 1 janar gjendet afër 200 metra larg Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit dhe afër Ministrisë së Brendshme të Afganistanit. Në tetor, ndërtesa e Ministrisë së Brendshme kishte qenë cak i një sulmi, kur u vranë të paktën katër persona.
Edhe ministri të tjera të sigurisë, por edhe ambasadat e huaja dhe pallati presidencial, gjenden në rrugën e Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit dhe atij ushtarak.
Sipas raportimeve, aeroporti ushtarak është dëmtuar, por nuk është shkatërruar plotësisht. Po ashtu, raportohet se forcat talibane të sigurisë kanë rrethuar këtë zonë, duke parandaluar që të bëhen fotografi dhe video të vendit ku ndodhi sulmi.