Detaje të reja kanë dalë nga atentati i sotëm në Tiranë, ku mbeti i vrarë një 49-vjeçar.
Burime bëjnë të ditur se viktima është identifikuar si Edmond Papa, 49-vjeç me origjinë nga Fieri por banues në Sarandë.
Ndaj viktimës janë qëlluar 9 plumba pistolete në rrugën “Fadil Bodinaku”, pranë një lokali. Mësohet se viktima ka disa prona në zonën e Ksamilit në Sarandë. Lidhur me këtë fakt policia po heton nëse ka pasur konflikte së fundmi. Ndërsa një tjetër pistë është ajo e aktivitetit kriminal jashtë vendit (Angli), për trafik droge.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16.30, në rrugën “Fadil Bodinaku”, në lokalin në pronësi të shtetasit V. Sh., një person ende i pa identifikuar ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasin Edmond Papa, 49 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.