“Piranjat” në Abc të moderuar nga Florjan Binaj dhe Arilena Ara, i janë rikthyer sërish ekstradimit të paligjshëm të Spartak Dyrmishit drejt Greqisë.
Kujtojmë që Spartak Dyrmishi akuzohej nga institucionet greke për përdhunimin e një 30-vjeçareje, dhe pas këtyre akuzave ai u arratis drejt vendit tonë.
Menjëherë autoritetet greke e shpallën në kërkim ndërkombëtar. Pavarësisht se Dyrmishi fshihej në Shqipëri, institucionet tona nuk kishin asnjë informacion.
Ishte vetë Dyrmishi i cili ra në kontakt me një oficer policie në Vlorë ku dhe u dorëzua, por me kushtin që të mos ekstradohej në Greqi.
Pa asnjë procedurë ligjore, dhe pa asnjë kërkesë zyrtare nga pala greke, policia e Vlorë e dorëzon në duart e policisë greke pak orë pasi ai u vetëdorëzua.
Për këtë shkelje të rëndë proceduriale dhe ligjore gazetari Eraldo Harlicaj kërkoi informacion nga Avokati i Popullit, por që deri më sot nuk ka asnjë përgjigje zyrtare përveç arrogancës.
Pyetja që lind me të drejtë nga ana jonë është: A është shteti shqiptar kaq inferior para Greqisë?
Kjo pasi në rastin e Lulzim Cakës nuk u ndoq i njëjti standard, pasi pala greke refuzoi ta ekstradojë drejt Shqipërisë, me pretendimin se në kërkesë kishte mangësi të theksuar ligjore.
Por çështja e ekstradimeve nuk është problem vetëm me Greqinë, por edhe në raport me shtet të tjera më të mëdha se ne./abcnews.al