Përfundon takimi i Papa Françeskut dhe presidentit Begaj, një bisedë e përzemërt mbi tema të përbashkëta

Ishte një bisedë që zgjati rreth 35 minuta mes Papa Françeskut dhe presidentit shqiptar Bejram Begaj, i zgjedhur qershorin e kaluar dhe në vizitën e tij të parë në Vatikan. Një takim i përzemërt, i cili më pas vazhdoi në Sekretariatin e Shtetit, ku u diskutua edhe për integrimin europian të vendit.

Sipas mediave italiane, takimi filloi në orën 9.50 dhe përfundoi në orën 10.25 ku Papa Françesku ka dhuruar një majolikë që përshkruan një statujë të Shën Pjetrit duke dhënë një bekim me kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit në sfond, vëllimet e dokumenteve papale, mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2022, dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe libri mbi Statio Orbis i 27 marsit 2020.

Ndërkohë presidenti shqiptar i dhuroi një mozaik prej kashte dhe që përshkruan një grua me rroba tradicionale shqiptare, një riprodhim bronzi të Darkës së Fundit dhe një kopje fotostatike të “STATUTA ET ORDINATIONES CAPITULI ECCLESIAE CATHEDRALIS DRIVASTIENSIS”, katedrales së diokezës së lashtë.

Në bisedimet në Sekretariatin e Shtetit, thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet e mira ekzistuese dypalëshe dhe synimi për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët.

“Më tej u theksua kontributi pozitiv i komunitetit katolik në shoqërinë shqiptare. Më pas, u fokusuam në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor. ”.- vijon deklarata.

Në takimin dypalësh që pati me presidentin shqiptar, kardinali Pietro Parolin, sekretar i shtetit të Vatikanit, shoqërohej nga Imzot Miroslaw Wachowski, nënsekretar për marrëdhëniet me shtetet.


Shtuar 2.12.2022 14:56