Musk: “Apple” kërcënoi të bllokojë “Twitterin” nga dyqani i saj virtual

Elon Musk akuzoi kompaninë “Apple” se ka kërcënuar të heqë aplikacionin “Twitter” nga dyqani i saj virtual, pa treguar arsyen përse. Zoti Musk, pronari i ri i “Twitterit”, e bëri të ditur këtë në një seri publikimesh në “Twitter”, ku gjithashtu thekson se prodhuesi i “iPhone” ka zvogëluar numrin e reklamave në platformën e rrjetit social.

Pronari miliarder i “Twitterit” dhe “Tesla-s” tha se kompania që prodhon telefona celularë po i bënte presion rrjetit social në lidhje me kontrollimin e përmbajtjes që lejohet në “Twitter”, ndonëse kjo nuk është konfirmuar nga firma “Apple”.

Nëse Twitter hiqet nga platformat e blerjes së aplikacioneve në iPhone, kjo nuk do të ishte e pazakontë, pasi “Apple” më parë ka hequr nga dyqani i saj virtual aplikacione si “Gab” dhe “Parler”.

“Parler”, i cili përdoret nga qarqet konservatore amerikane, u rikthye në dyqanin e “Apple-it” në vitin 2021 pasi, siç thanë të dy kompanitë në atë kohë, aplikacioni rregulloi praktikat e kontrollimit të përmbajtjes.

“‘Apple’ ka përgjysmuar reklamat në Twitter. A e urrejnë ata fjalën e lirë në Amerikë?”, shkroi zoti Musk në “Twitter”, rrjetin social që e bleu për 44 miliardë dollarë, muajin e kaluar.

Në një postim tjetër, duke iu drejtuar përmes “Twitter-it” shefit ekzekutiv të firmës “Apple”, Tim Cook, zoti Musk pyeti, “Çfarë po ndodh?”.

“Apple” nuk i është përgjigjur kërkesave për koment.

Sipas të dhënave të firmës matëse të reklamave “Pathmatics”, nga 10 deri më 16 nëntor, “Apple” shpenzoi mbi 131 mijë dollarë për reklama në “Twitter”. Një muaj më parë, në të njëjtat data të tetorit, apo një javë para se zoti Musk të përfundonte marrëveshjen për blerjen e “Twitterit”, “Apple” kishte shpenzuar gati dyfishin, rreth 221 mijë dollarë.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, “Apple” ishte reklamuesi kryesor në “Twitter”, me 48 milionë dollarë, që përbënte mbi 4% të të ardhurave totale për atë periudhë, sipas gazetës “Washington Post”, që citonte një dokument të brendshëm të “Twitterit”.

“Twitter” nuk iu përgjigj menjëherë kërkeses së agjencisë së lajmeve “Reuters” për koment mbi raportin.


Shtuar 29.11.2022 16:45