Thyen kabinën në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës, arrestohet një person dhe shpallet në kërkim një tjetër

Policia e Divjakës ka vënë në pranga një 33-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, protestues të cilët akuzohen se kanë thyer kabinën në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës gjatë ditës së djeshme.

Kujtojmë që prej ditësh banorët e Divjakës janë në protestë kundër vendosjes së traut, madje ditën e djeshme protesta përshkallëzoi duke pasur një përplasje me policinë.

Njoftimi nga Policia Divjakë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 33 vjeç, banues në Xeng, Divjakë, si edhe u shpall në kërkim shtetasi S. K., 40 vjeç, banues në Xeng, Divjakë, pasi gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, në Divjakë, kanë kryer veprime të dhunshme dhe si pasojë kanë thyer kabinën e vendosur në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: E. Sh., J. M., N. Gj., D. P. dhe L. Gj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme../albeu.com