Kryeministri Edi Rama është takuar ditën e sotme me banorët e Tropojës ku komentoi edhe debatet që janë bërë së fundmi me britanikët sa i përket refugjatëve shqiptarë në Angli.
Rama tha se rëndësi ka qe Shqipëria nuk është më një vend diktatorial dhe kush të dojë është në të drejtën e tij që të largohet.
“Një gazetare britanike kishte shkruar një artikull ku thoshte se vetëm vendet diktatoriale vënë në diskutim lirinë e njerëzve për të ikur apo për të ardhur. Shqiptarët sot po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj. Atë që ne kur kemi qenë më pak të pasur se sot e kemi bërë shumë më tepër se këta në një kohë tjetër.
E solla këtu për të thënë që është e pamundur, që t’u thuhet njerëzve rrini këtu, mos ikni, se këtu është atdheu. Njerëzit janë në të drejtën e tyre të marrin vendimet e tyre. Shyqyr zotit nuk jemi në bunkerin e komunizmit. Sot shyqyr nëse do t’i krijosh vetes mundësi, ia krijon. Nëse në qytet mundësitë janë më të kufizuara, në fshat janë të pafundme.”