Iu gjetën arsenal armësh në banesë, lihen në burg babë e bir në Shkodër

Gjykata e shkallës së parë ka lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Petrit Kubazi dhe djalin e tij Gledis Kubazi.

Këta dy shtetas u arrestuan nga policia vendore e Shkodrës pasi iu gjetën në banesë armë, mina me telekomandë dhe disa municione të tjera. Gjatë seancës për masën e sigurisë shtetasi Petrit Kubazi deklaroi në sallën e gjyqit se ai nuk ka patur asnjë informacion për gjithë atë municion që policia sekuestroi në banesën e tyre.

Vetëm dy armët e gjahut, 52 vjeçari pretendon se janë me leje ndërsa për pjesën tjetër e ka marrë vesh në komisariat pasi është arrestuar se janë gjetur në banesën e tij.

Ndërkohë djali i Petrit Kubazit, shtetasi Gledis Kubazi, 20 vjeç deklaroi përpara gjykatës së tri minat me telekomanda të lidhura me telefon, tetë kallepët e tritolit C4, kapsollat detonatore si dhe 50 fishekët deklaroi në sallën e gjyqit se i kishte gjetur një natë më përpara por pa e ditur se çfarë janë.


Shtuar 3.11.2022 13:05