Morata është perfekt për Juventusin, kjo është arsyeja (VIDEO)

E ndjente, mbase e dinte që një gjë e tillë do të ndodhej.

Po flasim për rikthimin e Alvaro Moratës te skuadra e Juventusit. Spanjolli ka vijuar që të ruajë miqësinë me futbollistët e bardhezinjve, duke komunikuar me ta vit pas viti.

Menjëherë sapo doli lajmi për rikthimin e tij, të gjithë i kanë shkruar. Duke pritur skadimin e ultimatumin për Romën dhe Edin Dzekon, Fabio Paratici ka nxituar për të mbyllur marrëveshjen me skuadrën e Atletico Madrid për huazimin e Moratës.

Që kur u largua nga Torino për t’u rikthyer te Real Madrid, Morata ka punuar për “rikthimin në shtëpi”, siç e kanë cilësuar në Itali. Po të ishte për të, “Corriere dello Sport” raporton se asnjëherë nuk do të ishte larguar. Në vitin 2017, kur u largua nga Madridi për të kaluar tek Chelsea i Antonio Contes do të shprehej: “Në Torino kam kaluar dy sezone fantastike. Shkova si djalosh dhe u largova si një futbollistë i vërtet. Italia për një spanjoll është vendi më i mirë për të jetuar. Nuk do të isha larguar kurrë nga Italia dhe Juventusi.

Bashkëshortja ime jeton në Spanjë dhe Itali. Në Londër më ka bërë përshtypje bashkëjetesa e kulturave dhe feve, por nuk do të jetoja për shumë kohë. Është vend i madh, me shumë stres”.

Nga e thëna në të bërë, kjo deklaratë duket se ishte e mjaftueshme që Juventusi të bindej për rikthimin e sulmuesit spanjoll, i cili mund të jetë perfekt për ekipin e Andrea Pirlos.

Ndoshta nuk është një sulmues tipik që shënon shumë, por që shërben mjaft mirë për shokët e repartit. Një nga karakteristikat e tij më të mira është shënimi i golave me peshë, në ndeshje të mëdha në Champions League. Edhe pse me një temperament shpërthyes, Morata ruan një qetësi të admirueshme përballë portës.


Shtuar 22.09.2020 19:34