Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj duket se ka bërë hapa pas dhe ka vendosur që të paktën të negociojë me kryedemokratin Sali Berisha dhe me gjithë mbështetësit e tij. Pas mbledhjes së Alibeajt dhe mbështetësve të tij në Kryesinë e Kuvendit është vendosur që ish-Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi të jetë personi që do të negociojë me Berishën dhe me kreun e Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Ky i fundit është i përzgjedhuri nga Berisha për të diskutuar me grupin e Alibeajt.
DEKLARATË E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime shprehën vullnetin e plotë dhe të sinqertë për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me cdo faktor opozitar.
Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD zgjidhje e vetme për tu përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i cdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.
Me qëllim diskutimin e cdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar cdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.
Grupi Parlamentar i PD shpreh gadishmërinë për të nisur që sot nga puna për të gjetur modalitetet e bashkëpunimit mes demokratëve në zgjedhjet lokale./albeu.com