Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi publikisht të hënën ndaj protestave më të mëdha në Iran prej vitesh, duke thyer kështu heshtjen për të dënuar ato që i quajti “trazira” dhe për të akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se planifikuan protestat.
Protestat, të shkaktuara nga vdekja e një vajze që ishte ndaluar nga policia iraniane e moralit, janë përhapur në mbarë vendin për të tretën javë, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për t’i shtypur ato.
Të hënën, Irani mbylli universitetin kryesor teknologjik pas disa orësh tensionesh mes studentëve dhe policisë, që e shndërroi institucionin presitigjioz në pikën më të fundit të përplasjeve që përfunduan me arrestimin e qindra të rinjve.
Duke folur përpara kadetëve të shkollës së policisë në Teheran, Ajatollah Khamenei tha se ndjehej “thellësisht i trishtuar” nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini që mbahej nga policia, duke e quajtur “një incident tragjik”. Megjithatë, ai kritikoi protestat si një komplot i huaj për të destabilizuar Iranin, duke përsëritur kështu komentet e mëparshme të autoriteteve iraniane.
“Trazirat ishin të planifikuara”, tha ai. “Këto trazira dhe kjo pasiguri ishin të projektuara nga Amerika dhe regjimi zionist, dhe punonjësit e tyre”.
Ndërkohë, Universiteti Sharif i Teknologjisë në Teheran njoftoi se vetëm studentët e doktoraturës do të lejoheshin në kampusin universitar deri në njoftim të ri, disa orë pasi të dielën dëshmitarët thanë se panë protestues kundër qeverisë që u përplasën me studentët pro saj.
Dëshmitarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të frikës nga ndëshkimi, thanë se policia mbajti qindra studentë të bllokuar brenda kampusit dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstratat. Shoqata e studentëve tha se policë me veshje civile rrethuan shkollën nga të gjitha anët ndërsa protestat vazhduan edhe gjatë natës, dhe arrestuan të paktën 300 studentë.
Oficerë policie me rroba civile rrahën një profesor dhe disa punonjës të universitetit, shtoi shoqata.
Agjensia shtetërore e lajmeve IRNA u përpoq të ulë rëndësinë e ngjarjes, duke njoftuar se ndodhi një protestë pa lëndime. Por, ajo gjithashtu tha se policia liroi 30 studentë që ishin ndaluar, duke pranuar se shumë prej tyre mund të jenë marrë gabimisht ndërsa përpiqeshin të shkonin në shtëpi.
Shtypja e protestës ngjalli reagime të forta të hënën brenda vendit dhe jashtë tij.
“Të supozojmë se i rrahim dhe i arrestojmë; a është kjo zgjidhja?”, shtrohej pyetja në një artikull në të përditshmen Jomhouri Eslami, që mbështet linjën e ashpër të regjimit. “A është kjo produktive?”
Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock dënoi “forcën brutale të regjimit” të ushtruar në Universitetin Sharif si “shprehje e frikës ndaj fuqisë së arsimimit dhe lirisë”.
“Kurajoja e iranianëve është e jashtëzakonshme”, shtoi ajo.
Protestat më të fundit në Iran kanë sjellë trazirat më të gjera në vend prej vitesh dhe janë shndërruar në një sfidë të hapur ndaj udhëheqësve të vendit./voa