Kuvendi i Kosovës është përfshirë nga debate të forta mes kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj me qeverinë, ministrin e Financave dhe kryeministrin Kurti.
Haradinaj i tha Hekuran Muratit që nëse do të flasë nga vendi le të urdhërojë në foltore, duke e lënë fjalën e tij në gjysmë.
“Mësimdhënësit e Kosovës shumica e tyre janë prindër dhe kanë fëmijë. A beson dikush që ata mësimdhënës prej qejfit kanë nejt në shpi dhe i kanë lënë edhe fëmijët e tyre në shpi, a ka dikush që e beson këtë. Kjo pyetje e do një përgjigje të drejtë.
Nga 2018 pagat nuk janë rritë, prej atëherë, vazhdon intenzivisht me u shtrenjtu jeta, jo veç për mësuesit por të gjithë të tjerët. Janë shtrenjtu produktet bazë, ushqimi. Hajde në foltore, urdhno a do në foltore?”, ka thënë Haradinaj, teksa ndërpreu fjalën e tij në foltoren e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka ndërhyrë duke i tërhequr vërejtjen ministrit që mos ta pengojë gjatë fjalës së tij deputetin Haradinaj.
Kryeministri Albin Kurti e ka marrë në mbrojtje ministrin e Financave, Hekuran Muratit. Kurti tregoi se çfarë komunikuan Murati e Haradinaj e që nuk u dëgjua.
“Sa për sqarim. Unë isha këtu. Është e vërtetë që ministri Murati i ndërhyu në fjalë teksa fliste deputeti Haradinaj, mirëpo ai nuk e ka fyer.
Në momentin kur Z. Haradinaj tha ‘prej vitit 2018 nuk janë rritë pagat’, ministri Murati tha ‘sa janë rritur pagat në vitin 2018?’”, tha kryeministri. Kurti tha se Murati “dëshironte sqarim shtesë”.
“Unë e kuptoj që nuk duhet t’i ndërhyjmë njëri-tjetrit, por duhet ta pranojmë që ndërhyrja është dukuri në Kuvend, nuk është përjashtim”, tha Kurti.