Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka reaguar lidhur me raportimet për arrestimin e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, i cili dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten e tij, duke i thënë se mund t’i ndodhte e njëjta gjë si Arlinda Zekajt.
Drejtoria e Përgjithshme e ShSKUK-së ka autorizuar Zyrën Ligjore që t’u drejtohet menjëherë institucioneve përkatëse, me qëllim verifikimin urgjent të pretendimeve të bëra publike.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, ShSKUK i ka cilësuar këto raportime si tepër shqetësuese dhe ka theksuar se dhuna, pavarësisht formës, është e dënueshme dhe nuk mund të tolerohet.
“Këto raportime janë jashtëzakonisht shqetësuese për SHSKUK-në. Institucioni ynë mban qëndrim të prerë: dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet në njoftim.
Institucioni ka bërë të ditur gjithashtu se ndaj drejtorit do të ndërmerren masa, në varësi të të dhënave zyrtare që do të sigurohen nga organet kompetente.
“Pas pranimit të informacioneve zyrtare nga organet kompetente, SHSKUK do të marrë masat më të rrepta administrative dhe ligjore ndaj drejtorit në fjalë”, thuhet në reagim.






