Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një koferencë për shtyp, u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me PD-në dhe faktorë të tjerë opozitarë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Meta tha se kjo forcë politike do të mbështesë kandidatët që kanë më shumë mundësi për të fituar.
Do jeni bashkë në aksionin opozitar me protesta dhe greva?
Vendi ka nevojë ulëritëse për greva dhe protesta kudo ku ka shkelje të ligjit dhe të të drejtave të qytetarëve tanë, kudo ku ka vjedhje. Ju e keni parë që edhe për meritë të vendimeve të papërgjegjshme të qeverisë përditë ka protesta dhe greva të fëmijëve, nxënësve, prindërve. Jeni njohur me vendimet absurde që skanë asnjë lidhje me kujdesin ndaj nxënësve dhe prindërve, siç janë aktet e fundit arbitrare të satrapqeverisë ku pasi ka filluar shkolla, kopështi në mënyrë arbitrare gjenden sebepe që nuk kanë lidhje me ligjin dhe cilësinë e edukimit për të bërë akte të tilla të cilat tregojnë edhe njëherë sesa e rëndësishme është e gjithë shoqëria të reagojë fort ndaj kësaj qeverie që sillet si një bandë dhe që është e gatshme t’u shkaktojë trauma edhe fëmijëve. Edhe aktet e gjykatës dje janë tërësisht të paligjshme dhe tregojnë një kapje nga ana e Qeverisë. Këto veprime të papërgjegjshme do ti paguajnë shqiptarët, pasi janë procese që kushdo mund ti fitojë shumë thjeshtë.
Do dilni bashkë në zgjedhjet lokale?
Ne kemi nisur përgatitjet për këto zgjedhje dhe shumë shpejt do të mbledhim edhe komitetin organizator të Partisë së Lirisë. Kemi ambicie shumë të forta për zgjedhjet që po afrojnë. Këto zgjedhje do të rivendosin edhe demokracinë vendore dhe llogaridhënien. Këto katër vite të një keqqeverisje totale kanë qenë të mjaftueshme për ti dhënë asaj ndëshkimin e merituar. Objektivi ynë kryesor është fitorja e opozitës, pavarësisht se çdo forcë politike ka ambiciet e saj. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me PD dhe faktorët e tjerë opozitarë që të mbështeten kandidatët më të mirë..