Reshjet e orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në zonën e Dukagjinit të Shkodrës.
Si pasojë e prurjeve të përrenjve është dëmtuar ura që lidh fshatin Theth me fshatin e Nderlysaj.
Shkak për këtë situatë është bërë fryrja e lumit të Thethit, ndaj dhe aktualisht është i pamundur lëvizja e banorëve nga Thethi në Nderlysë.
Bllokimi i urës nga uji ka krijuar probleme edhe në qarkullimin e banorëve të zonës, teksa kërkohet ndërhyrja nga institucionet përgjegjëse. Ndërkohë, ka pasur edhe automjete që janë bllokuar, si shkak i vërshimit të ujit.
Kujtojmë se edhe më herët është paralajmëruar për përmbytje në Qarkun e Shkodrës, si shkak i reshjeve të dendura të shiut.
Qarku i Shkodrës është një ndër qarqet më të prekura nga përmbytjet, teksa çdo sezon dimri ka disa zona që përballen me përmbytjet.