31 gushti shënon 25 vjetorin e vdekjes së Diana Spencer, dhe mediat britanike kanë publikuar me këtë rast disa pjesë nga libri i Andrew Morton, që rrëfen historinë e saj të treguar nga vetë princesha. Pjesa më tronditëse është ajo kur Diana rrëfen përballjen e parë me Camillën pasi kishte marrë vesh se c`po ndodh mes saj dhe të shoqit.
“Dita më e keqe e jetës sime ishte të kuptoja se Charles ishte rikthyer me Camilla-n. Dhe një nga momentet më të guximshme të gjithë dhjetë viteve të martesës sime ishte kur shkuam në atë festë të kobshme. Askush nuk priste që unë të shkoja në festën e organizuar nga Lady Annabel Goldsmith në shkurt 1989 për ditëlindjen e 40-të të motrës së Camilla-s, por një zë brenda meje më tha: Shko, dreqi e mori. Vendosa që mos ta puthja më Camilla-n kur ta takoja, siç kisha bërë zakonisht. Do të shtrëngoja thjesht duart dhe ky do ishte hapi im i madh. Hyra në atë shtëpi dhe ia zgjata dorën Camilla-s. Iu ktheva edhe burrave, se do flisja pak me Camilla-n dhe se për një minutë do ngjitesha lart. E pashë që u frikësuan.
I thashë Camilla-s: A do të ulesh? U ulëm dhe vazhdova:
“Camilla, do të doja që ta dije se unë e di saktësisht se çfarë po ndodh.” ‘Nuk e di se për çfarë po flet’, m`u kthye ajo. Dhe unë thashë: ‘Unë e di se çfarë po ndodh mes teje dhe Charles, dhe dua që ta dish këtë. Ju kam zënë rrugën. Ju jam bërë pengesë. Duhet të jetë e tmerrshme për të dy ju, por mos më trajto si idiote’.
Ajo më tha: ‘Ke gjithçka që ke dashur ndonjëherë. Ke të gjithë burrat e botës që bien në dashuri me ty, dhe ke dy fëmijë të bukur. Çfarë mund të duash më shumë?’ ‘Dua burrin tim’, i thashë. Dikush zbriti për të na lehtësuar, padyshim. ‘Për hir të Zotit, shkoni atje poshtë, ato po luftojnë.’ Nuk ishte një luftë në fakt. Ishte një qetësi, qetësi vdekjeprurëse…”, ka treguar Diana.