Arjan Tase lëvizte me armë në brez jashtë shërbimit, a iu bë testi i alkoolit dhe i drogës policit që vrau me skaf 7-vjeçaren?

Detaje të reja kanë dalë nga tragjedia e ndodhur një ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë, ku një vogëlushe 7-vjeçare u godit për vdekje nga një skaf (600 kuaj fuqi) dhe që drejtohet nga polici Arjan Tase.

Gazetari i ABC, Ermal Vija, raporton se efektivi i policisë në momentin që ka shkaktuar tragjedinë ishte i armatosur dhe pistoletën e shërbimit e mbante në kundërshtim me ligjin në çantë që kishte në krah. Sipas ligjit, efektivët e policisë nuk lejohet që të mbajnë armën e punës kur janë jashtë shërbimit, por kjo nuk e ka penguar Arjan Tasen që të thyej ligjin dhe të lëviz si “i fortë” në plazhin e Potamit. Natyrshëm lind pyetja se për çfarë i duhej Arjan Tases pistoleta e shërbimit në një kohë kur ishte me pushime me të afërm të tij? Në një moment Tase ka pasur edhe një përballje me babanë e vajzës së mitur që i mori jetën, që një gjaknxehtësi e momentit mund të kishte sjellë një tragjedi të dyfishtë për shkak të armës së zjarrit që ai mbante. Pritet që hetuesit të japin përgjigje pyetjes se pse lëvizte Arjan Tase i armatosur jashtë shërbimit.

Po ashtu një tjetër shkelje e rëndë e ligjit është se deri më tani nuk rezulton që Arjan Tase të ketë pasur një patentë për të drejtuar një skaf 7 metra të gjatë dhe me 600 kuaj fuqi. Një përgjigje që kërkohet nga autoritetet është se kujt i përkiste ky skaf, dhe si ka arritur ta sigurojë polici Arjan Tase nga pronari këtë skaf. Një shkelej tjetër, e policit është thyerja e vijës mbrojtëse për pushuesit. Një skaf i tillë nuk lejohet të afrohet më shumë se 300 metra nga bregu i detit, por Arjan Tase, si për të treguar se e bën vetë ligjin e solli deri në cekëtin skafin duke i marrë jetën vogëlueshes së familjes Avdia.

Në zonë dëshmitarët thanë se Arjan Tase ka tentuar që të largohet menjëherë pas tragjedisë që shkaktoi. Grupi hetimor ka hapur kamerat e sigurisë për të parë se si ndodhi kjo tragjedi që shokoi opinionin publik.

Po ashtu autoritete duhet të japin përgjigjen nëse, Arjan Tase ishte nën efektin e alkoolit apo nën efektin e lëndëve narkotike. E nëse këto analiza nuk janë bërë që në fillim kur ai u shoqëruar, Prokuroria duhet të nis hetimet se pse mund të jenë shmangur testet.

Por si ndodhi ngjarja?

Tragjedia në Himarë ndodhi një ditë më parë (2 gusht). 7-vjeçarja po lahej në breg, ku skafi me dy motorë e goditi rëndë duke i marrë jetën në vend. Aktualisht drejtuesi i skafit, Arjan Tase është shefi i policimit në komunitet në Elbasan. Ai është shoqëruar në polici ndërsa edhe është përjashtuar nga radhët e policisë.

Në dëshminë e tij, Tase ka thënë se skafi nuk ishte e tij, por ia ka marrë kushëririt të tij për përdorim dhe ka shtuar se skafi kishte defekt, e për pasojë ka marrë gaz menjëherë dhe ka bërë një rrotullim në vend dhe ka goditur vajzën 7-vjeçare për vdekje.

Ndërkohë, Tase nuk kishte patentë skafi. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në radhët e policisë. Për ngjarjen e rëndë u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë nga detyra.

Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut./abcnews.al