“Pushimet mos i bëni në gusht”, Peleshi: Ka kryebashkiakë që telefonojnë nga plazhi dhe kërkojnë helikopterë për shuarjen e zjarreve

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në takimin me kryebashkiakët ka bërë thirrje për bashkëpunim mes bashkish në raste zjarri. Ai gjithashtu u theksoi drejtuesve vendorë se duhet të jenë ata të parët që reagojnë në raste emergjencash, jo Ministria e Mbrojtjes dhe nuk ngurroi t’u sugjeronte atyre që pushimet të mos i bënin në gusht, pasi është një nga muajt e verës ku zjarret kanë probabilitetin më të madh të aktivizohen.

“Mos harroni që ligji ju detyron të veproni në një emergjencë të bashkisë ngjitur si të ishte në bashkinë tuaj. Mos hezitoni të mbështesni me trupa dhe zjarrfikëse. E them këtë sepse ka bashki që funksionojnë perfekt dhe kemi gjetur forcat e bashkisë kufitare para të atyre ku ka rënë zjarri. Ka dhe nga ata që fikin telefonin dhe thonë s’është zjarri im dhe s’përgjigjen. Nëse do të funksionojmë siç apeluam dhe të kemi bashkëpunim. Është detyra juaj të reagoni, ne ju mbështesim me mjete. Se shpesh herë keqkuptohet. Ka kryetar bashkish që pa lëvizur gishtin, telefonojnë dhe thonë ‘ku është helikopteri’. Në ndonjë rast kërkojnë helikopter dhe nga plazhi. Ka ndodhur. Mirë është që pushimet të mos i bëjmë në gusht. Nuk ju urdhërojmë dot, por sugjerimi im është të jemi alert dhe të mos mungojmë kur ka emergjenca”.


Shtuar 1.08.2022 12:36