Një foshnjë 11-muajshe u shpëtua në Karolinën e Jugut, në SHBA, pasi u gjet e groposur brenda një kafazi qeni. Babai i tij dyshohet se e kishte lënë nën dhe.
Koah Sharpe u gjet të martën pasdite, më 10 nëntor, pas mbi 24 orësh kërkimesh. Sipas autoriteteve, ai kishte kaluar rreth një ditë nën dhe, në kafazin e mbështjellë me peshqir.
Të lidhura
None found
Sherifi i qarkut Lexington, Jay Koon, tha se peshqiri mund të ketë lënë një hapësirë me ajër që e ndihmoi foshnjën të mbijetonte.
“E gjetëm të voglin Koah, 11 muajsh, të groposur të gjallë, duke luftuar për jetën dhe duke qarë. Ishte tingulli më i bukur që mund të dëgjonim”, u shpreh sherifi në një konferencë për mediat.
Hetimet tregojnë se foshnja ishte nën kujdesin e gjyshes, Patricia Comer, kur babai i tij, 25-vjeçari Michael Comer, mbërriti në banesë të hënën. Gjyshja ia besoi fëmijën të birit për të kryer një punë, ndërsa pritej të vinte një person tjetër për t’u kujdesur për të.
Kur mbërriti kujdestari, as Michael Comer dhe as foshnja nuk ishin në banesë. Familjarët lajmëruan policinë për zhdukjen e fëmijës dhe autoritetet nisën kërkimet në disa zona të qarkut Lexington.
Të hënën në mbrëmje, Michael Comer u gjet në një ndërtesë ndihmëse në zonën e Batesburg-Leesville. Ai u arrestua fillimisht për akuza që lidhen me vjedhje me thyerje dhe rezistencë ndaj arrestimit.
Foshnja nuk ishte me të, ndaj kërkimet vazhduan gjatë natës dhe gjithë ditës së martë. Në operacion morën pjesë rreth 100 efektivë dhe pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit. Gjurma vendimtare u zbulua në një zonë pyjore, rreth 45 metra larg banesës së babait të Michael Comer.
Kërkuesit vunë re se dheu ishte trazuar kohët e fundit. Teksa nisën ta kontrollonin, dëgjuan të qarat e foshnjës. Ata gërmuan menjëherë, e nxorën nga kafazi dhe e dërguan me urgjencë në spital. Sipas sherifit, Koah kishte qenë nën dhe për rreth 24 orë.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivin e ngjarjes. Nëna e foshnjës dhe Michael Comer nuk ishin më bashkë, ndërsa familjarët kanë ngritur dyshime se xhelozia mund të ketë pasur rol. Gjyshja e fëmijës tha gjithashtu se shqetësohej për shëndetin mendor të të birit. Autoritetet po bashkëpunojnë me prokurorinë për të përcaktuar nëse ndaj 25-vjeçarit do të ngrihen akuza të tjera. Koah po trajtohet në spital dhe autoritetet shpresojnë që ai të shërohet plotësisht.








