Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ambasadorët e vendeve të grupit të G7-ës në Ukrainë, përfaqësues të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara vizituan të premten një nga portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi dhe inspektuan anijet që do të transportojnë grurin. Vizita e tij vjen një javë pas arritjes së marrëveshjes me Rusinë, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara për krijimin e korridoreve të sigurta për eksportin e grurit të bllokuar në vend që nga fillimi i sulmit rus kundër Ukrainës, pesë muaj më parë.
Vizita e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në njërin nga portet e rajonit të Odesës vjen ndërsa punëtorët filluan punën në terminalet e eksportimit të grurit të domosdoshëm për miliona njerëz në mbarë botën që vuajnë nga uria.
“Kjo është anija e parë që po ngarkohet që nga fillimi i luftës. Kjo anije turke nënkupton se porti filloi punën”, tha zoti Zelenskyy në një nga portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi.
Vizita e zotit Zelenskyy me ambasadorët e vendeve të grupit të shatëshes në Ukrainë dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë në Odesa është një përpjekje e Kievit për t’i treguar botës se janë pothuajse gati të rifillojnë të eksportojnë miliona tonë drithë në botë, pas marrëveshjes me Rusinë, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara javën që shkoi për krijimin e korridoreve që mundësojnë kalimin e sigurt të anijeve.
Megjithatë ekzistojnë shqetësime për sigurinë e ekipeve të transportit detar, gjë që ka çuar në një fillim të ngadaltë dhe të kujdesshëm të zbatimit të marrëveshjes.
“Shpresojmë që të gjitha palët e përfshira të mbajnë premtimet dhe garancitë e tyre. Shpresojmë që si anijet ashtu edhe njerëzit të jenë të sigurt. Njerëzit e përfshirë po rrezikojnë jetët e tyre, sepse rezultati i procesit është i panjohur dhe e dimë se me kë kemi të bëjmë, Rusinë”, tha zoti Zelenskyy.
Një javë pas nënshkrimit të marrëveshjes ende asnjë sasi gruri nuk është nisur nga portet. Por palët po përballen me trysninë e kohës, pasi marrëveshja është e vlefshme vetëm për 120 ditë.
Ambasadorja e Britanisë në Ukrainë, Melkinda Simmons, falenderoi Kievin për përpjekjet e tij që të zbatojë mbarrëveshjen, ndërsa i bëri thirrje Rusisë që të veprojë në të njëjtën mënyrë.
“Së bashku me të gjithë të tjerët, presim që Rusia të luajë rolin e saj për t’u siguruar se marrëveshja do të zbatohet”, tha ajo në një konferencë shtypi.
Larisa Galadza, ambasadorja kanadeze në Ukrainë tha se në këtë vizitë pa se anijet janë të ngarkuara dhe gati për t’u nisur.
“Siç mund t’i shihni, anijet janë këtu, të ngarkuara dhe gati për t’u nisur. Anije të tjera kanë filluar të ngarkohen sot. Pra, ne i bëjmë thirrje Rusisë që të pajtohet me hapjen e korridoreve të duhura për dërgimin e grurit”, tha ajo.
Kjo marrëveshje është përparimi i parë diplomatik në konflikt, ndërsa çmimet e grurit në Azi ranë këtë javë për shkak të pritjeve për furnizime më të larta. Por luftime te ashpra e bëjnë procesin jashtëzakonisht të vështirë.
Javën që shkoi raketat ruse goditën portin jugor në Odesa, duke kërcënuar marrëveshjen që ishte nënshkruar një ditë para sulmit.
Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink tha se shpreson që më vonë të premten të hapet rruga për dërgesën e parë.
Ndërsa bllokimi i drithërave të Ukrainës, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, ka çuar në rritjen e çmimeve të ushqimit në mbarë botën, reduktimet e gazit rus kanë shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në Evropë dhe frikë për mungesa të mëdha gjatë dimrit.
Synimi është që gjatë katër muajve të ardhshëm të nisen rreth 20 milionë tonë drithë nga portet e Ukrainës, duke ndihmuar miliona njerëz të varfër në mbarë botën të përallen me urinë.