Ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf uroi kryeministrin Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve të 25 Prillit, si edhe përgëzoi edhe Partinë Demokratike, për të cilën thotë se ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e fundit.
“Ne presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Për ne me rëndësi vendimtare është rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Unë pres që të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara. Qeveria e Partisë Socialiste do të ketë një funksion kyç në këtë proces reformash. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë parlamentare si dhe për përfshirjen dhe kontributin e saj aktiv, për shembull në ligje dhe vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar”, thotë ambasadori Gjerman.
“Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblejren e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme”, thotë më tej Zingraf.
Edhe ambasadori britanik Norman, përmes një postimi në Twitter uroi Kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet 25 prillit, po ashtu, nga ana tjetër përgëzon fushatën e mbështetur në programe nga PD.
“Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur dhe ka ndjekur nga afër përgatitjen dhe organizmin e zgjedhjeve të 25 prillit. Pamë me kënaqësi zbatimin e legjislacionit zgjedhor dhe pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në votim. Inkurajojmë gjithashtu institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin”, thotë ai. Ndërkohë Ministria e Jashtme italiane ka vlerësuar se zgjedhjet e 25 prillit kanë pasur një organizim të shkëlqyer të procesit zgjedhor, ashtu siç tregohet në raportin e OSBE/ODIHR.
Ministria e drejtuar nga Luigi Di Maio thotë se zgjedhjet e 25 Prillit janë një hap i rëndësishëm për rrugën e Shqipërisë drejt BE. Pas ballafaqimit elektoral, tani është thelbësore që të gjithë aktorët politikë të jenë plotësisht të përkushtuar për të mirën e vendit dhe të kontribuojnë në konsolidimin e institucioneve demokratike që gjejnë pikën e tyre thelbësore të referencës në një Parlament plotësisht legjitim dhe funksional.
Italia shpreson që të gjitha forcat politike do të punojnë në mënyrë kohezive për të mbështetur objektivin strategjik të përfaqësuar nga hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian përmes një dialogu konstruktiv dhe të respektueshëm midis mazhorancës dhe opozitës. Një dialog i tillë do të lejojë që vendi të përballet me sfida të ardhshme me sukses”, deklaron Ministria e Jashtme e Italisë.