“U hodh vetë”, lihet në burg 47 vjeçari që tentoi të vriste ish-bashkëshorten

Gjykata e Fierit ka vendosur masën “Arrest me Burg ” për 47 vjeçarin Saimir Rrapollari i cili pasditen e 25 korrikut keqtrajtoi dhe hodhi nga kati i dytë i banesës bashkëshorten e tij 38 vjeçaren Elisjona Sulejmani nënë e 2 vajzave minorene.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg, ndërkohë që ai pretendon se janë sajesa të gruas. Ai thotë që është hedhur vetë dhe vajza është manipuluar nga e ëma.

Gjyqtari Piro Sota ka vendosur masën burg pa afat për 47 vjeçarin, masë e kerkuar edhe nga prokurori Dorjan Tafili.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e 25 korrikut në lagjen 1 maj të qytetit të Patosit, ku prej tre muajsh jetonte me qira 38 vjeçarja, së bashku me dy vajzat e saj minorene.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin Saimir Rrapollari 47 vjeç, banues në Kurian, Roskovec, dhe arrestini i këtij shtetasi u bë pasi gjatë ditës së shtunes në Patos, ka hyrë në shtëpinë e ish bashkëshortes së tij pa pëlqimin e saj, e ka keqtrajtuar dhe e ka rrëzuar nga kati i dytë i banesës.

38 vjeçarja, ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, ndërsa ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë, “Dhunë në familje”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, “Dhunimi i banesës” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Sipas burimeve nga uniformat blu, ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes së të dhunuarës.

Kjo e fundit prej kohësh ishte ndarë nga bashkëshorti dhe jetonte me të afërmit e saj. Arsyeja e ndarjes mësohet se ishte pikërisht dhuna fizike që 47-vjeçari ushtronte ndaj bashkëshortes së tij, por kjo gjë nuk ka ndaluar as pasi kanë shkëputur lidhjen e tyre.


Shtuar 29.07.2020 09:33