Ukraina: Rusia ka sulmuar me 7 raketa Mykolaivin, tymi i zi mbulon qytetin

Qyteti Mykolaiv në jug të Ukrainës u godit nga shtatë raketa të mërkurën, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Vitaly Kim, në kanalin e tij Telegram.

Kim po inspektonte të korrat lokale kur ndodhi sulmi i supozuar.

“Kam ndërprerë inspektimin në qark. U ktheva në qytet. Qyteti u godit me shtatë raketa”, shkroi ai.

Një person u vra dhe dy u plagosën nga goditja e raketave, tha të mërkurën kryetari i bashkisë së qytetit Oleksandr Sienkevych.

“Tani dimë për dy ndërmarrje private të prekura. Disa lëndë djegëse dhe lubrifikantë ishin në ambientet e këtyre ndërmarrjeve”, tha Sienkevych. “Për shkak të goditjes së raketës në njërën nga ndërmarrjet, lëndët djegëse dhe lubrifikante iu dogjën dhe tashmë i gjithë qyteti është mbuluar nga tymi i zi. Zjarrfikësit po punojnë në vendngjarje.”

Sipas kryebashkiakut, një shkollë dhe një ndërtesë pesëkatëshe u prekën gjithashtu nga shpërthimet dhe u janë thyer xhamat. Shkolla ka pësuar dëmtime edhe në çati.

“Ne kemi marrë gjithashtu informacione për katër shtëpi private të cilat janë dëmtuar,” shtoi ai.

Autoritetet ruse dhe mediat ruse nuk raportuan menjëherë për incidentin dhe CNN shkruan se mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimin e Kim se shtatë raketa kishin goditur qytetin.

Mykolaiv ishte vendi i një beteje të ashpër në javët e para të pushtimit rus, por u mbrojt me sukses nga forcat ukrainase./albeu.com


Shtuar 22.06.2022 15:24