Një vendim i fundit i Papa Françeskut për të anuluar një udhëtim në Afrikë dhe njoftimi në kohë rekord për një takim të pazakontë me kardinalët, ka nxitur thashethemet se Ati i Shenjtë mund të japë dorëheqjen.
Spekulimet u rinovuan nga njoftimi për udhëtimin e tij të propozuar në L’Aquila në Italinë qendrore në fund të gushtit, ngjashëm me papët e tjerë që më parë kanë dalë në pension. Këto spekulime duhet thënë se kishin mbetur aktive që prej fundit të majit, kur 85-vjeçari u shfaq në publik për herë të parë duke përdorur një karrige me rrota për shkak të dhimbjes në gju.
Pikërisht për këtë arsye, përdorimin e detyrueshëm të një karrigeje me rrota, Papa anuloi edhe udhëtimin e tij të supozuar të ndodhte në Afrikë në korrik.
“Me kërkesën e mjekëve të tij dhe për të mos rrezikuar rezultatet e terapisë që po i nënshtrohet për gjurin e tij, Ati i Shenjtë është detyruar të shtyjë me keqardhje udhëtimin e tij Apostolik në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut, i planifikuar për 2 deri më 7 korrik, për një datë të mëvonshme për t’u përcaktuar”, thuhet në një deklaratë të Matteo Brunit, drejtorit të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Konsistori i jashtëzakonshëm do të mbahet më 27 gusht, në selinë katolike, për të zgjedhur 21 kardinalë të rinj – 16 prej të cilëve do të jenë nën moshën 80 vjeç dhe do të kenë të drejtën për të zgjedhur pasardhësin e tij në një konklavë të ardhshme.
“Është shumë e çuditshme të kesh një konsistori në gusht, nuk ka asnjë arsye që ai ta njoftojë këtë tre muaj përpara dhe më pas të shkojë në L’Aquila në mes të saj”, tha Robert Mickens, redaktori me bazë në Romë i La Croix, një gazetë e përditshme katolike.
Së fundmi, në maj, Papa Françesku kishte bërë shaka për gjurin e tij gjatë një takimi me dyer të mbyllura me peshkopët: “Në vend që ta operoj, unë do të jap dorëheqjen”.
Në korrik, ai pritet të shkojë në një udhëtim në Kanada dhe ky orar mbetet i pandryshuar për momentin, por ai vazhdon të marrë injeksione në gju dhe terapi fizike, sipas Vatikanit.
Ndërkohë, një vit më parë Papa iu nënshtrua një operacioni në zorrë, i cili e mbajti në spital për 10 ditë.