Komisioni Europian propozon t’i japë statusin e vendit kandidat Ukrainës për anëtarësimin në Bashkimin Europian, shkruan BBC.
Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, dhe vjen një ditë pasi katër liderë europianë vizituan Ukrainën dhe shprehën mbështetjen e tyre për dhënien e “menjëhershme” të statusit të kandidatit, teksa Kievi po përballet me pushtimin e paprovokuar të Rusisë.
“Ne kemi një mesazh të qartë për të gjithë, dhe mesazhi është që po Ukraina meriton perspektivën europiane, Ukraina duhet të mirëpritet si një vend kandidat. Është bërë shumë punë e mirë dhe ka ende shumë punë të rëndësishmë për tu bërë.
I gjithë procesi është i bazuar në merita, kështu që përparimi varet tërësisht nga Ukraina. Pra, çdo gjë është në dorën e Ukrainës.”
Asnjëherë më parë një mendim i tillë nuk është dhënë kaq shpejt për anëtarësm në Bashkimin Europian, vendim që duhet të miratohet nga të 27 shtetet anëtare.
Përveç Ukrainës, Komisioni Europian ka mirëpritur gjithashtu edhe Moldavinë si kandidatë për anëtarësimin në bllok. Por Gjeorgjisë, një tjetër ish-republikë sovjetike, i është kërkuar të plotësojë disa kushte përpara se t’i jepet i njëjti status.