Detaje të reja po dalin lidhur me ngjarjen e rëndë në fluturimin FZ1073 të Flydubai, i cili po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit. Gjatë fluturimit, bashkëpiloti dyshohet se goditi me thikë kapitenin dhe më pas u përpoq të ndërhynte në sistemet e avionit.
Kapiteni indian Smit Machar, i cili u plagos gjatë përleshjes, po trajtohet në spitalin e Tabukut, në Arabinë Saudite, dhe raportohet se ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Ambasada e Indisë në Riad dhe konsullata indiane në Xheda kanë bërë të ditur se po ndjekin nga afër situatën dhe po komunikojnë me familjen e pilotit.
Të lidhura
None found
Pasagjerët kanë rrëfyer se tensioni shpërtheu brenda kabinës së pilotëve në një moment kur avioni kishte nisur të humbte lartësi. Megjithëse ishte i lënduar, kapiteni arriti të hapte derën e kabinës, duke u krijuar mundësi udhëtarëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të ndërhynin.
Yaniv Hayyoun, një prej pasagjerëve, ka treguar se kur hyri në kabinë pa bashkëpilotin duke tentuar të dëmtonte pajisjet e avionit. Ai deklaroi se e kapi nga qafa dhe e nxori jashtë kabinës, ndërsa pasagjerë të tjerë iu bashkuan për ta neutralizuar.
Për të mos lejuar që i dyshuari të ndërhynte sërish, pasagjerët përdorën mjete të ndryshme për ta lidhur dhe mbajtur të immobilizuar deri në përfundim të fluturimit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përgëzuar reagimin e kapitenit dhe të pasagjerëve, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje që shmangu një katastrofë të përmasave të mëdha.
Gjatë një interviste për Fox News, Netanyahu tha se kishte takuar pas incidentit Yaniv Hayyoun, i cili i kishte treguar se punonte si hidraulik. Sipas kryeministrit izraelit, veprimi i Hayyoun dhe i pasagjerëve të tjerë “parandaloi një tjetër 11 shtator”.
Ministria e Jashtme e Izraelit e ka përshkruar ngjarjen si një “sulm terrorist në tentativë”. Sipas këtij vlerësimi, objektiv mund të kenë qenë izraelitët, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Marrëveshjet e Abrahamit. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë përcaktuar zyrtarisht motivet e bashkëpilotit, pasi hetimi vazhdon.
Pas përleshjes në kabinë, Flydubai njoftoi pezullimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve drejt Izraelit dhe nga ky shtet. Kompania bëri të ditur se kishte ndodhur një konflikt në kabinën e pilotëve, por ekuipazhi arriti të merrte kontrollin e situatës dhe ta ulte avionin në mënyrë të sigurt në aeroportin e Tabukut.
Për kthimin e udhëtarëve dhe ekuipazhit në Izrael, në Arabinë Saudite u dërguan dy avionë zëvendësues. Fluturimi i riatdhesimit u nis nga Tabuku në orën 17:40, sipas kohës lokale, dhe mbërriti në Tel Aviv rreth një orë më pas.
Një pasagjere ka përshkruar panikun e përjetuar në ato momente, duke thënë se avioni filloi të humbiste lartësi dhe se shumë udhëtarë besuan se pilotët nuk po e kontrollonin më mjetin fluturues.
Një pilot i intervistuar nga televizioni izraelit pretendoi se bashkëpiloti ishte shtetas i Omanit dhe se ishte punësuar nga Flydubai rreth tetë muaj më parë. Ai foli edhe për sjelljen e të dyshuarit, por këto deklarata nuk janë konfirmuar nga autoritetet dhe nuk përbëjnë një përfundim zyrtar mbi motivet e sulmit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë me Benjamin Netanyahun për incidentin. Trump tha se ende nuk ishte e qartë nëse bashkëpiloti kishte synuar ta rrëzonte avionin, duke sqaruar se disa prej të dhënave që përcolli i kishte marrë nga Netanyahu dhe burime të tjera.
Fluturimi FZ1073 u devijua drejt Tabukut dhe u ul pa probleme. Kapiteni i plagosur u transportua në spital, ndërsa bashkëpiloti u arrestua. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar në mënyrë të plotë zhvillimet brenda kabinës dhe arsyet që qëndronin pas sulmit.
