Christa Pike, e dënuar me vdekje, është transportuar në spital pasi procedura e ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës në Tennessee nuk përfundoi me vdekjen e saj.
Të lidhura
None found
Gjatë ekzekutimit, 50-vjeçarja humbi ndjenjat, por avokati i saj tha se ajo vazhdonte të kishte puls dhe dëgjohej teksa merrte frymë me vështirësi. Pike kishte marrë dy doza pentobarbital në institucionin e sigurisë së lartë Riverbend, në Nashville.
Ndërsa procedura vijonte, mbrojtja paraqiti një kërkesë urgjente për pezullimin e saj. Avokatët kishin ngritur më herët shqetësime lidhur me gjetjen e venave, dëmtimet e tyre dhe problemet e mundshme me substancën e injektuar.
Kërkesa për ndalimin e ekzekutimit ishte refuzuar më parë nga Gjykata Supreme e SHBA-së. Po ashtu, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, nuk pranoi kërkesën e Pike për mëshirë.
Pas dështimit të ekzekutimit, gjykatësi federal Clifton L. Corker urdhëroi që personeli mjekësor të lejohej t’i jepte Pike kujdesin e nevojshëm. Më vonë, Departamenti i Korrigjimeve të Tennessee konfirmoi se ajo ishte dërguar në një spital jashtë burgut.
Autoritetet mohuan që protokolli shtetëror të ishte zbatuar në mënyrë të pasaktë. Zëdhënësja Dorinda Carter deklaroi se të gjitha hapat e parashikuar në rregullat zyrtare të ekzekutimeve ishin ndjekur.
Bill Lee bëri të ditur se kishte urdhëruar një hetim të plotë dhe të pavarur për të sqaruar ngjarjet gjatë procedurës. Ai njoftoi gjithashtu anulimin e të gjitha ekzekutimeve të planifikuara në Tennessee, duke thënë se nuk pritet të ketë ekzekutime të tjera gjatë pjesës së mbetur të vitit.
Christa Pike u shpall fajtore dhe u dënua me vdekje për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer, e kryer në Knoxville më 12 janar 1995. Në atë kohë, Pike ishte 18 vjeçe.
Sipas akuzës, Pike dhe i dashuri i saj i atëhershëm, Tadaryl Shipp, e çuan Slemmer në një zonë pyjore, ku e sulmuan dhe e vranë. Shipp, i cili ishte 17 vjeç kur ndodhi krimi, mori dënimin me burgim të përjetshëm, me të drejtë për lirim me kusht.
Pike nuk e ka mohuar përgjegjësinë për vrasjen, por gjatë viteve ka pohuar se në momentin e krimit ishte një 18-vjeçare që vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Nëse ekzekutimi do të ishte realizuar, ajo do të ishte gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee në më shumë se 200 vjet.
