E shoqëruar nga Meta, presidentja e Kosovës merr pjesë në homazhet për Nishanin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbërritur sot në Tiranë për të marrë pjesë në homazhet në nder të ish-kreut të shtetit, Bujar Nishani që u nda nga jeta të shtunën që lamë pas.

Vjosa është pritur në ambientet e Presidencës nga presidenti aktual i vendit, Ilir Meta, i cili e ka shoqëruar në homazhe.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/346810107481860

 

Ish-Presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ndërroi jetë disa ditë më parë pasi ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i kishte lënë në organizëm. Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID i lanë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.  Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.


Shtuar 2.06.2022 11:43