Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, njoftoi se autoritetet serbe u kanë refuzuar hyrjen në territorin e Serbisë tre deputeteve të Kosovës, Arbërie Nagavcit, Fatmire Mullhaxhës dhe Liza Gashit, të cilat po udhëtonin për t’i shprehur ngushëllime pas vdekjes së babait të saj.
Të lidhura
None found
Delegacioni shoqërohej nga ambasadori i Kosovës, Jetish Jashari, si dhe nga Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit Kurti. Pavarësisht kësaj, autoritetet nuk i lejuan të kalonin kufirin.
Për shkak të ndalimit, Sinani shkoi në pjesën e Kosovës dhe u takua me delegacionin në vendkalimin kufitar në Depcë.
Sipas saj, ky rast dëshmon se Serbia e shfaq politikën e saj diskriminuese edhe në situata mortore, kur vizitat kanë vetëm karakter njerëzor.
Ardita Sinani bëri të ditur se delegacioni nga Republika e Kosovës kishte planifikuar ta vizitonte në shtëpinë e prindërve të saj në Preshevë, pas ndarjes nga jeta të babait të saj.
“Autoritetet e Serbisë, edhe kur bëhet fjalë për marrëdhënie njerëzore, refuzojnë lejimin e vizitave në Luginën e Preshevës vetëm sepse në to përfshihen zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës.
Me rastin e vdekjes së babait tim, deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe Liza Gashi, kishin planifikuar të vinin në shtëpinë e prindërve të mi në Preshevë për të më ngushëlluar.
Sipas protokollit, ato shoqëroheshin nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Beograd, Sh,T. Jeshit Jashari, i cili kishte shprehur gjithashtu dëshirën të merrte pjesë në vizitën për ngushëllime.
Në përbërje të delegacionit ishte edhe Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit Kurti për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Ai kishte ardhur me porosinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të më përcjellë mua dhe familjarëve të mi ngushëllimet e tij për humbjen e prindit.
Edhe pse nuk kishin planifikuar ndonjë vizitë zyrtare në Preshevë, por një vizitë personale dhe humane, që lidhej me traditën tonë të ngushëllimit të të afërmve në rast vdekjeje, Serbia vendosi paturpësisht të ndërhyjë me politikë edhe në këtë situatë.
Pas disa orësh të kaluara në vendkalimin kufitar me Kosovën në Depcë, autoritetet kufitare i njoftuan përfaqësuesit e Republikës së Kosovës se nuk do t’u lejohej vizita në Preshevë.
Në këto rrethana, së bashku me vëllezërit dhe familjarët e mi, shkova në vendkalimin e Depcës, në territorin e Republikës së Kosovës, për t’u takuar me ta dhe për të vlerësuar qëllimin e tyre për të qenë pranë meje në dhimbjen e humbjes së babait.
Megjithëse rrethanat ishin aspak njerëzore dhe unë isha e frustruar nga ajo që ndodhi, pata nderin t’i merrja, në emrin tim dhe të familjes, ngushëllimet e sinqerta të deputeteve Nagavci, Mullhaxha Kollçaku dhe Gashi. Ato më përcollën gjithashtu ngushëllimet e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mikeshës time, znj. Albulena Haxhiu.
Ky është një rast që duhet të mbahet mend për keq, pasi Serbia e demonstroi politikën e saj diskriminuese në çdo aspekt të jetës, madje edhe në rastet e vdekjeve, kur vizitat synojnë vetëm ndarjen e dhimbjes.
Megjithatë, shpresoj që edhe këtë herë Serbia ta ketë kuptuar mesazhin se, edhe në rrethana thuajse të pamundura, nuk do të arrijë të pengojë as koordinimin tonë politik dhe as lidhjen tonë shpirtërore.
Në emrin tim dhe të familjes sime, shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë për deputetet dhe Ambasadorin Jashari, të cilët hoqën dorë nga një pjesë e angazhimeve të tyre për të qenë pranë meje në këtë moment të vështirë.
Njëkohësisht, u shpreh keqardhjen për faktin se, pa vullnetin tim dhe të familjes sime, u bë e pamundur t’i prisnim në Preshevë ashtu siç e meritonin dhe siç e kërkon tradita jonë e mikpritjes.
Duke parë vendosmërinë e tyre për të qenë pranë meje në çfarëdo mënyre, u garantoj edhe unë gatishmërinë time për të qenë afër Kosovës në çdo formë.






