Kurti kërkon masa konkrete për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, të cilin e falënderoi për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm përmes dialogut.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, biseda u përqendrua te garantimi i të drejtave të komuniteteve, përdorimi i gjuhëve, mundësitë për arsimim dhe ofrimi i shërbimeve publike. Në takim u diskutua gjithashtu për zbatimin e ligjit lidhur me mbrojtjen e pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore.

Kurti nënvizoi se parimi i barazisë para ligjit përbën një nga bazat e Republikës së Kosovës, duke theksuar se të drejtat dhe detyrimet duhet të vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa asnjë dallim.

Sipas njoftimit, kryeministri deklaroi se Kushtetuta e Kosovës u njeh komuniteteve joshumicë të drejta të gjera, të cilat në disa fusha tejkalojnë standardet evropiane të mbrojtjes. Ai tha se këto garanci duhet të zbatohen plotësisht në institucionet dhe shoqërinë kosovare, përmes pjesëmarrjes aktive të pjesëtarëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve, gjithmonë në përputhje me ligjet në fuqi. Kurti theksoi gjithashtu se mbrojtja e të drejtave dhe respektimi i ligjit janë të ndërlidhura, ndërsa përkatësia nuk mund të përdoret as për cenimin e të drejtave dhe as për shmangien e detyrimeve ligjore.

Gjatë takimit, Kurti shprehu shqetësimin për atë që e cilësoi diskriminim sistematik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nga autoritetet serbe. Ai përmendi pasivizimin e adresave, pengesat në arsim dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm të shqiptarëve në institucionet publike.

Kryeministri kërkoi që këto çështje të trajtohen drejtpërdrejt dhe të ndiqen me hapa konkretë. Sipas tij, Serbia duhet të zbatojë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të sigurojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile. Ai theksoi se të drejtat e shqiptarëve nuk duhet të varen nga vullneti politik i një sistemi autokratik.

Qeveria e Republikës së Kosovës bëri të ditur se do ta vijojë bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit Kamp, duke vlerësuar se mbrojtja e komuniteteve joshumicë dhe sundimi i ligjit janë detyrime që plotësojnë njëra-tjetrën, e jo parime në konkurrencë.


Shtuar më 9.10.2026 19:55