Autoritetet serbe ndalojnë delegacionin kosovar në kufi, Nagavci: Ngushëllimet i shprehëm pranë Preshevës

Autoritetet e Serbisë nuk e lejuan hyrjen në Preshevë të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila po udhëtonte bashkë me deputetet Fatmire Kollçaku e Liza Gashi dhe këshilltarin politik të kryeministrit, Ragmi Mustafi.

Të lidhura

None found

Delegacioni kishte planifikuar t’i shprehte ngushëllime kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, pas ndarjes nga jeta të babait të saj.

Në një reagim të saj, Nagavci ka bërë të ditur se policia serbe i ndaloi në pikën kufitare dhe i mbajti më shumë se dy orë pa u dhënë një arsye. Më pas, atyre iu komunikua se nuk mund të vijonin udhëtimin dhe duhej të ktheheshin.

Ajo ka sqaruar se vizita ishte private dhe me karakter njerëzor, pa ndonjë agjendë politike, ndaj e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e autoriteteve serbe.

Për shkak të ndalimit, ngushëllimet iu përcollën Ardita Sinanit pranë kufirit. Kryetarja e Komunës së Preshevës kishte shkuar në atë zonë së bashku me familjarët e saj për t’i takuar.

“Ky veprim është i papranueshëm. Serbia duhet të respektojë detyrimet që ka marrë përsipër, në vend që të pengojë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Nagavci.

Nagavci ka njoftuar gjithashtu se rasti do t’u përcillet autoriteteve kompetente dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.


Shtuar më 9.10.2026 20:17