Dhuna e babait në Librazhd, Robert Aliaj: Vajza është përdorur si mall. Psikologia: E reja në gjendje shoku

Përveç dhunës në shtëpinë e burrit, vajza në Librazhd u përball dhe me dhunë nga babai i saj pas tradhtisë ku u kap në flagrancë. Kjo dhunë u rrëfye nga vetë vajza në emisionin “Me zemër të hapur”. Ndërkohë artisti Robert Aliaj tha në emisionin “Open” në News24 se kjo është një pikë kulminante e konfliktit dhe se nuk mund të justifikojë një prind që linçon vajzën e vet.

“E shoh si pikën më të vështirë në jetën e asaj vajze.  E shoh të vështirë, pikën kulminante të konfliktit. Unë imagjinoj se si kjo vajzë është përdorur si mall. Unë nuk e kuptoj se si mund ta jap vajzën time dhe të mos interesohem me vite dhe mos ta tërheq vajzën. Jo më në moshën që është dhënë ajo vajzë. E shoh më kriminale këtë. Më pak faj i vë bashkëshortit, por unë nuk justifikoj dot një prind që në momentet më të vështira linçon vajzën e vet, nuk e merr në mbrojtje. Këtu është për të parë çfarë moraliteti kemi ne, çfarë nderi se po flasim për nder. Si mund të flasim për nder, që në thelbin e vet ka pikërisht respektin. Marrëdhënia e tyre është për t’u parë, jo nga ne, por nga njerëz ekspertë dhe e shoh si një debat që mund të japë një ide, një zgjidhje për atë vajzë”, tha Robert Aliaj.

Psikologia Besarta Taçi, nisur nga intervista e vajzës tha se ajo ka një çrregullim të stresit postraumatik, ndoshta dhe me një pjesë të amnezisë postraumatike.

“Është një nga situatat e shumta që mund të dëgjojmë. Ka shumë familje dhe shumë vajza të cilat kalojnë nga pronësia e familjes origjinale, të babait dhe dërgohen në këtë rast të bashkëshortit, i cili as nuk është prezent dhe marrin rolin e nuses. Roli i një nuseje në kulturën tonë është një rol katalizator, shërbëtor, zhvishet nga figura e një gruaje me autonomi, pavarësi, mendime, dëshira, projektime në të ardhmen.

Kur situata nuk shkon mirë te martesa e saj apo fejesa e saj ajo nuk kthehet dot më pas sepse nuk ka një mbrojtje familjare.

Ajo ka qenë 17 vjeç në momentin që është fejuar. Kështu ligjërisht as nuk duhet të ndodhte nëse ka ndodhur një martesë ligjore, nëse s’ka ndodhur, ka qenë një pakt mes familjeve.

Kur dëgjova intervistën e vajzës, nga tipologjia e fjalëve që përdorte ka një çrregullim të stresit postraumatik, ndoshta dhe me një pjesë të amnezisë postraumatike, është në gjendje shoku. Sigurisht që duhet trajtuar. Edhe sepse në atë moment ishte vetëm një grua prezente që ishte vjehrra dhe të gjithë të tjerët ishin burra dhe këta burra të ndershëm në atë moment e linçuan dhe e vendosën në një pozicion viktime, e cila është një damkë që do mbetet. Cyber bullizmi që ajo ka jetuar është një deformim total i identitetit të saj”, tha psikologia.


Shtuar 30.05.2022 22:32