Një aksident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në Rrugën e Kombit, në fshatin Kolsh.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një person dhe një tjetër të ketë mbetur i plagosur.
Bëhet me dije se makina ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, ku për pasojë ka përfunduar në një humnerë.
Raportohet se dy të rinj nga Tropoja, po udhëtonin nga Tirana drejt Kukësit. Makina e tyre tip “Benz” ka rënë 100 metra në humnerën poshtë rrugës.
Shkak i aksidentit deri më tani dyshohet se ka qenë pakujdesia dhe manovrimi i gabuar i shoferit pasi nuk janë vënë re gjurmë frenimi në asfalt.
Njoftimi i Policisë:
Kukës/Informacion paraprak
Rreth orës 04:00, në autostradën Kalimash – Morinë, në afërsi të urës së Kolshit, mjeti tip “Benz”, në të cilin udhëtonin shtetasit A. Rr., 25 vjeç dhe Xh. L ., 19 vjeç, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë.
Si pasojë, shtetasi A. Rr. ka humbur jetën.
Nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit A. Rr. ndërsa shtetasi Xh. L., është dërguar në spitalin e Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit./albeu.com/