Pushtimi rus në Ukrainë nënkupton se më pak tanke ruse dhe pajisje tjera ushtarake do të shihen në Sheshin e Kuq të Moskës më 9 maj, kur ky shtet të përkujtojë fitoren ndaj Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Megjithatë, entuziazmi patriotik mund të jetë më i fuqishëm se kurrë.
Dita e Fitores këtë vit nuk do të nderojë vetëm konfliktin që ka përfunduar 77 vjet më parë.
Shumë rusë do të mendojnë edhe për mijëra trupa që gjenden në Ukrainën fqinje.
Shenjat e mbështetjes për ushtrinë janë shtuar prej kur ka nisur pushtimi rus në Ukrainë më 24 shkurt, sidomos përmes simbolit “Z”, i cili shfaqet nëpër pano, rrugë, metro, televizione dhe rrjete sociale.
Kremlini nuk u referohet luftimeve në Ukrainë si “luftë”, por vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, e quan vetëm si “operacion special ushtarak”.
Disa besojnë se Putini mund ta shfrytëzojë këtë ditë për të shpallur operacionin si luftë, në mënyrë që të rrisë përkushtimin kombëtar të Rusisë për të.
Lufta dhe përkujtimi
Bashkimi Sovjetik ka humbur 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, të cilën e ka quajtur Luftë të Madhe Patriotike.
Konflikti, i cili ka shkatërruar qytete e rajone të tëra, ka shkaktuar shumë dhimbje dhe ka lënë një varrë në psikikën kombëtare.
Dita e Fitores është një ngjarje e rrallë në mesin e ndasive të thella kombëtare, e cila admirohet nga të gjithë lojtarët politikë.
Kremlini e ka shfrytëzuar vazhdimisht atë sentiment për të inkurajuar krenari patriotike dhe për të pretenduar se Rusia ka rol si fuqi botërore.
Festimet vjetore përfshijnë paradën masive ushtarake në Sheshin e Kuq, duke përfshirë në të tanke, aeroplanë luftarakë dhe raketa balistike interkontinentale.
Këtë vit pritet të ketë shumë më pak armë sesa vitin e kaluar, duke shpërfaqur kështu angazhimin ushtarak në Ukrainë.
Luftimi i “neo-nazistëve”
Kur ka urdhëruar pushtimin, Putini ka thënë se qëllimi tij është që të çmilitarizojë” Ukrainën, ashtu që të shmangë kërcënimin ushtarak nga “neo-nazistët” – retorikë që është dënuar nga Ukraina dhe Perëndimi, si pretekst i rremë për luftën.
Për të mbështetur pretendimin e tyre, Putini dhe zyrtarët e tij, kanë përmendur ata që dikur kanë qenë liderë nacionalistë të grupeve të ekstremit të djathtë në Ukrainë, Stepan Bandera dhe Roman Shukhevych, të cilët u janë bashkuar nazistëve në Luftën e Dytë Botërore dhe kanë përdorur simbole të nazistëve.
Kjo retorikë është shfrytëzuar nga Kremlini për të rritur mbështetjen e publikut për luftën, pasi Rusia është duke u përballur me humbje të mëdha në njerëz dhe pajisje ushtarake, por edhe dëme ekonomike si pasojë e sanksioneve të Perëndimit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili është hebre, ka hedhur poshtë pretendimin e Kremlinit për “denazifikim”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka ngritur paralele mes Zelenskyt dhe Adolf Hitlerit – deklaratë që ka nxitur shumë zemërim nga Izraeli.
Përshpejtimi i ofensivës?
Disa në Ukrainë dhe Perëndim presin që Putini të shënojë përparim para festës së 9 Majit, si tentim për ta prezantuar atë më pas si fitore vendimtare dhe si arsye për t’u larguar nga ai që duket si konflikt i përgjakshëm që kërcënon stabilitetin e shtetit.
Pas tentimeve të dështuara për të marrë kontrollin e Kievit dhe qyteteve tjera të mëdha në veri të Ukrainës – në fazën e parë të luftës – Kremlini ka zhvendosur fokusin në rajonin lindor të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar me forcat qeveritare ukrainase prej vitit 2014.
Ky konflikt ka shpërthyer disa javë pasi që Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Ushtria ruse ka riarmatosur dhe rifurnizuar forcat e saj që janë tërhequr nga Kievi dhe i ka nisur drejt Donbasit, me qëllim të rrethimit dhe shkatërrimit të trupave ukrainase që janë të përqendruara atje.
Mirëpo, forcat ruse janë përballur me rezistencë të ashpër ukrainase, andaj kanë arritur vetëm përparim të vogël, duke zbehur shpresat e Kremlinit për fitore të shpejtë.
Fitore të mëdha duken të pamundshme para 9 Majit.
“Ushtria jonë nuk do të lidhë në mënyrë artificiale veprimet e veta me ndonjë datë, përfshirë Ditën e Fitores”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ditë më parë.
Dyfishimi i çmimit të luftës
Disa rusë të linjës së ashpër kanë kritikuar Kremlinin për përdorim të kufizuar të forcave dhe kanë bërë thirrje për mobilizim kombëtar.
Disa zyrtarë të Perëndimit besojnë se Putini mund të shfrytëzojë 9 Majin për të shpallur zyrtarisht luftë dhe mobilizim të plotë të popullsisë për të rritur numrin e trupave në ofensivë.
“Ai krijuar terrenin që të mund të thotë ‘Shikoni, kjo është luftë kundër nazistëve, dhe mua më duhen më shumë njerëz’”, ka thënë sekretari i Jashtëm britanik, Ben Wallace, për Radion LBC.
Shefi ukrainas i inteligjencës, Kyrylo Budanov, ka bërë një paralajmërim të ngjashëm më 2 maj, duke thënë se Rusia ka nisur përgatitjet për mobilizim të gjerë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i konsideruar “të pakuptimta”.
Autoritetet ruse kanë pretenduar se vetëm ushtarët vullnetarë janë duke luftuar në Ukrainë, ndonëse shumë rekrutë janë zënë rob në ditët e para të luftës.
Ushtrisë ruse i shërbejnë rreth 1 milion njerëz – prej tyre, 400,000 ushtarë me kontrata, duke përfshirë 147,000 forca tokësore.
Zyrtarët perëndimorë kanë vlerësuar se forca fillestare pushtuese ka shkuar në rreth 180,000.
Ushtria e ka pranuar se ka humbur 1,351 ushtarë deri më 25 mars dhe prej asaj date nuk ka bërë ndonjë përditësim tjetër.
Zyrtarët e Perëndimit kanë thënë se humbjet e Rusisë janë shumë më të mëdha dhe se një e katërta e forcës fillestare të Moskës është bërë e papërshtatshme për luftim.
Nëse lufta zgjat, forcat aktuale ruse mund të mos jenë të mjaftueshme për të vazhduar operacionet, duke detyruar Kremlinin që të varet nga rekrutë të trajnuar dobët apo të bëjë thirrje për rezervistë.
Kremlini përballet me zgjedhje të vështira në mes të tentimeve për të fituar luftën me forcë të kufizuar, apo përmes forcimit të trupave në Ukrainë me rezervistë, një hap që mund të nxisë zemërim publik dhe që të destabilizojë situatën politike./ REL